Al Nassr, po përballet me një krizë financiare që ka ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e tij në afatin kalimtar dhe në pagesat e futbollistëve.
Sipas raportimeve nga mediat saudite, klubi nga Riadi ka ndaluar përkohësisht transferimet dhe disa lojtarë të ekipit të parë kanë marrë pagat e muajit qershor me këste.
Lajmi vjen vetëm pak ditë pas emërimit të trajnerit të ri, Ange Postecoglou, i cili u zgjodh pas suksesit në Ligën e Evropës me Tottenhamin edicionin e kaluar. Gjithashtu, kjo situatë rikthen në vëmendje edhe pakënaqësinë e Cristiano Ronaldos në fillim të vitit, kur portugezi kërkoi më shumë investime në skuadër.
Sipas gazetës saudite Al-Riyadiyah, drejtuesit e Al Nassr janë duke punuar për të shlyer detyrimet e mbetura, por ende nuk ka informacione të sakta se sa lojtarë janë prekur nga vonesat, sa para u kanë mbetur pa marrë dhe kur pritet të përfundojë pagesa e plotë.
Raporti thekson se borxhet e akumuluara të klubit, të cilat tejkalojnë të ardhurat e tij, kanë bërë që aktiviteti në tregun e transferimeve të ngadalësohet.
Një nga planet e ndaluara për momentin është edhe transferimi i një futbollisti të huaj për të zëvendësuar mesfushorin Marcelo Brozovic, i cili u largua nga klubi.
Një burim pranë Al-Riyadiyah ka paralajmëruar se situata aktuale mund të ndikojë edhe në të ardhmen e klubit.
“Është e pamundur që klubi të marrë përsipër detyrime të reja kontraktuale pa e zgjidhur situatën financiare aktuale dhe pa dëshmuar se ka aftësi për t’i përmbushur angazhimet e tij”, ka thënë burimi.
Po ashtu është bërë e ditur se drejtuesit e Al Nassr ende nuk kanë dorëzuar dokumentet e nevojshme te autoritetet përkatëse për të dëshmuar kapacitetin financiar për të nënshkruar kontrata të reja.
Kjo situatë vjen pavarësisht investimeve të mëdha të klubit në vitet e fundit, sidomos pas transferimit të Cristiano Ronaldos në vitin 2023.
Falë përforcimeve të mëdha, Al Nassr arriti të rikthehej te titulli i kampionit në Ligën Profesionale Saudite sezonin e kaluar, pas shtatë vitesh pritje.
Ronaldo, i cili raportohet se ka nënshkruar verën e kaluar një kontratë të re dyvjeçare me vlerë rreth 492 milionë funte, thuhet se ishte i pakënaqur me mungesën e investimeve në skuadër.
Kapiteni i Portugalisë kishte kërkuar më shumë përforcime nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), veçanërisht pasi rivalët e Al Hilal vazhdonin të forcoheshin me emra të mëdhenj, përfshirë ish-bashkëlojtarin e tij te Real Madridi, Karim Benzeman.
Pas një periudhe dy ndeshjesh jashtë fushës, Ronaldo u rikthye të luajë pasi kërkesat e tij kryesore u plotësuan – pagesa e pagave të vonuara dhe rikthimi i autonomisë së drejtuesve të klubit.
Në atë kohë, liga saudite reagoi duke thënë:
“Cristiano ka qenë plotësisht i përkushtuar ndaj Al Nassr që nga ardhja e tij dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen dhe ambiciet e klubit. Si çdo konkurrent elitar, ai dëshiron të fitojë. Por asnjë individ, pavarësisht rëndësisë së tij, nuk përcakton vendimet përtej klubit të tij”.
Ndërkohë, Al Nassr këtë verë ia ka besuar drejtimin e skuadrës trajnerit Ange Postecoglou, i cili zëvendësoi Jorge Jesus.
“Jorge Jesus bëri një punë të jashtëzakonshme vitin e kaluar duke fituar kampionatin dhe tani klubi është gati të shkojë në një nivel tjetër. Kjo është arsyeja pse jam këtu”, ka thënë Postecoglou.
“Çdo vit është i ri. Kam pasur shumë suksese në karrierë, por çdo sezon të ri e nis me të njëjtin mendim: dua që ky vit të jetë më i miri ndonjëherë”, deklaroi trajneri australian./Arbresh.info
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...
“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu...
Pas Uellsit edhe Federata e Futbollit gati për t’i hequr mbë...