Kosova mëson kundërshtarët për kualifikimet e Botërorit 2028 në futsall

16:07 | 12 Dhjetor 2025
Q L

Të premten në selinë e UEFA-s në Nyon është tërhequr shorti për raundin preliminar të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2028 në futsall, ku Kombëtarja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët e saj në fazën e parë të garave.

Kosova është përfshirë në Grupin D, së bashku me Malin e Zi, Austrinë dhe Gjibraltarin.

Raundi preliminar do të zhvillohet nga 6 deri më 15 prill 2026, ku gjashtë grupet me nga katër ekipe do të garojnë në mini-turne. Dy ekipet e para të secilit grup sigurojnë kualifikimin në “Main Round”.

Në këtë edicion të kualifikimeve marrin pjesë gjithsej 48 kombëtare, nga të cilat 24 me koeficient më të ulët e nisin garën nga raundi preliminar, ndërsa 24 të renditura më lart bashkohen në “Main Round”, ndeshjet e të cilës fazë më pas do të zhvillohen në tetor –dhjetor 2026 dhe shkurt –mars 2027./rtk