“Kosova ka gjasat e saj, por duhet të luajmë dy ndeshje të forta” – Franco Foda flet nga SHBA-të para shortit

21:50 | 4 Dhjetor 2025
E.G

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka zhvilluar një intervistë të gjatë të enjten për Sky Sports përpara Shtëpisë së Bardhë në Washington, ku të premten nga ora 18:00 do të mbahet ceremonia e shortit për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Tekniku gjerman ka folur fillimisht për prezencën e tij në SHBA, duke theksuar se Kosova dhe ekipet e tjera pjesëmarrëse në play-off për kualifikim kanë ende mundësi reale për të arritur në Kampionatin Botëror.

Foda ka shtuar se pjesëmarrja në short jep një ndjesi të veçantë, sikur të ishe tashmë pjesë e turneut, por ka pranuar se Kosova ka ende rrugë për të bërë për t’u kualifikuar historikisht.

Kombëtarja e Kosovës do të luajë në gjysmëfinale të play-offit, më 26 mars, kundër Sllovakisë në Bratislavë.

Nëse fitojnë, më 31 mars do të presin fituesin e duelit Turqi – Rumani. Një fitore edhe në atë ndeshje do t’i çonte “Dardanët” për herë të parë në Kupën e Botës.

“Kur je pjesëmarrës në një short ke ndjesinë se je në Kupën e Botës, edhe pse nuk jemi zyrtarisht ende, duhet të luajmë dy ndeshje kualifikuese, por a mund t’i fitojmë ato? Nëse kualifikohemi do të ishte e mrekullueshme”, tha Foda.

Trajneri gjerman do të jetë i pranishëm në short së bashku me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Foda ka theksuar se Kosova ka zhvilluar një kampanjë kualifikuese të mirë dhe ka përmendur rëndësinë e disa lojtarëve të rinj si Fisnik Asllani dhe Albian Hajdari, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm në ngritjen e nivelit të ekipit.

“Kemi disa prurje të reja në muajt e fundit. Nuk duhet ta harrojmë Fisnik Asllanin dhe gjithashtu Albian Hajdarin, që janë lojtarë të Hoffenheimit. Ata pa dyshim e kanë bërë ekipin tonë shumë më të mirë. Dhe, po, kemi ekuilibër të mirë ndërmjet lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë. Kemi punuar shumë në muajt e fundit, kemi një strukturë të mirë brenda ekipit dhe do të thosha se kemi mposhtur disa shtete të mira si Suedia, Sllovenia dhe Islanda. Jemi në rrugën e duhur dhe tani na duhet të bëjmë dy hapat e fundit për t’u kualifikuar në Botëror”, shtoi Foda.

 

Ai shprehet i bindur se Kosova ka pjekuri dhe vetëbesim për t’u përballur me këto sfida, por me respekt ndaj rivalëve.

“Në të dyja ndeshjet mendoj se gjasat janë të barabarta, 50 me 50. Ndeshjen e parë e luajmë jashtë fushës kundër Sllovakisë, e cila fitoi në shtëpi ndaj Gjermanisë 2-0. Sigurisht që nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por nëse duam të shkojmë në Kupën e Botës, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Nëse mposhtim Sllovakinë, për fat të mirë do të kemi një ndeshje në shtëpi dhe pastaj do të përballemi ose me Turqinë ose me Rumaninë, gjithashtu jo ndeshje e lehtë. Por siç thashë, jemi në formë të mirë për momentin, kemi shumë më tepër vetëbesim dhe sigurisht që jemi të bindur se mund t’i mposhtim këto ekipe dhe të kualifikohemi për ngjarjen më të madhe të futbollit”, deklaroi timonieri i Kosovës.

Foda gjithashtu shprehu kënaqësinë për kualifikimin e Austrisë në Botëror, ekip që ai ka drejtuar me sukses nga viti 2017 deri në 2022, duke marrë pjesë edhe në Kampionatin Evropian 2021.

Tekniku gjerman foli edhe për favoritët për të fituar Botërorin, duke përmendur Spanjën, Argjentinën, Gjermaninë dhe Anglinë, si ekipe që luftojnë gjithmonë deri në fund. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme