Kaos në “Ibrox Stadium”, tifozët pushtojnë fushën pas eliminimit të Rangersit nga Celticu

18:01 | 8 Mars 2026
D.H

Kaos i madh është regjistruar në stadiumin “Ibrox Stadium” pas përfundimit të çerekfinales së Kupës së Skocisë mes Rangers dhe Celtic.

Celticu siguroi kualifikimin në gjysmëfinale pasi triumfoi 4:2 në gjuajtjet e penalltive, pas 120 minutave lojë që përfunduan pa gola.

Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e Celticut hynë të parët në fushë për të festuar kualifikimin. Ata shtynë rojet e sigurisë dhe policinë për të depërtuar në fushë, duke krijuar tension në stadium.

Situata u përshkallëzua kur tifozët e Rangersit, të vendosur në tribunën përballë, gjithashtu pushtuan fushën. Mes dy grupeve të tifozëve u krijua kaos, ndërsa nga ana e tifozëve të Rangersit u hodhën edhe fishekzjarrë në drejtim të rivalëve.

Policia ndërhyri menjëherë duke krijuar dy kordonë sigurie për të parandaluar përleshjen mes tifozëve të dy ekipeve rivale.

Në këtë ndeshje për Rangersin u aktivizua edhe mesfushori i Shqipërisë, Nedim Bajrami, i cili u tregua i saktë në gjuajtjen e tij nga pika e bardhë gjatë serisë së penalltive.

Shpërndaje në rrjete sociale