Goli i parë fshiu çdo iluzion. Tek i dyti duhet mbajtur fryma sepse ka hyrë që tashmë në historinë e Champions League. Cristiano Ronaldo, gjithmonë ai, edhe këtë herë fshiu shpresat e Juventusit për një “hakmarrje” duke e tërhequr Real Madrid drejt gjysmëfinales së 13-të radhazi.
Nuk pati ndeshje, nuk pati histori, nuk pati përballje. Spanjollët janë një ekip i çmendur që luan një futboll krejt tjetër. Inteligjenca e Modric, forca e Kroos, lëvizjet e lirshme të Isco dhe golat e Ronaldo. Nga një në çdo pjesë i shënoi Juventusit në Torino. Arrin në 39 gola në këtë sezon (Juventus është viktima e tij e preferuar). 24 gola në 12 ndeshjet e fundit. Gaboi vetëm një goditje në fund të ndeshjes si për të treguar se edhe ai është njerëzor.
Goli i parë ishte fatal. U shënua pas 166 sekondash, goli më i shpejtë në Allianz Stadium të Juventusit në historinë e Champions.
I dyti, një roveshiatë nga mesi i zonës ishte kaq i bukur sa mori me meritë të gjitha duartrokitjet e tifozëve italianë. Një gjest i rrallë në Itali ku juventinët u ngritën në këmbë.
Golin e tretë e gjeti Marcelo si për të vulosur kualifikimin dhe minimizuar shpresat për një mrekulli në ndeshjen e kthimit në Madrid.
Edhe 10 muaj pas finales së Kardifit, Real mbetet skuadër e një tjetër planeti. Diferenca, njëlloj si atëherë është e dukshme. Juve u godit nga lojtarë që ditën të bënin diferencën si CR7, apo dhe kroset perfekte të Marcelo dhe Isco. Kampionët bënë diferencën, por juventinët e bënë në sensin negativ. Dybala del me karton të kuq vetëm 2 minuta pas golit të dytë të Ronaldo. Higuain e provoi, por nuk i ndezi. Champions mbetet një kupë e mallkuar për italianët.
Dështim në skemë?
Allegri zgjdhi një formacion 4-4-1-1 me Asamoah tercin, Alex Sandro në rolin e “ala” bashkë me Douglas Costa dhe Matuidi në pankinë. Një skuadër e mbledhur dhe kompakte që duhet të vinte në vështirësi mbrojtjen e Real Madrid ku është edhe pika e dobët (nëse mund të thuhet) e kësaj skuadre.
Goli i parë i goditi në zemër italianët, që gjithsesi më pas e provuan të kthenin barazpeshën. Kërkuan me ngulm edhe penalltinë, por arbitri nuk dëgjonte në atë anë. Juves i mungoi konkretizimi, saktësia dhe ftohtësia. Navas duket si gjigant ndërsa Sergio Ramos një bllokues preciz i goditjeve të Dybala.
Zidane zgjodhi Isco, një trekuartist atipik që niset nga e majta dhe hyn në qendër për të gjetur Ronaldo dhe Benzema. Mesfusha e Real është në superioritet dhe në çdo aksion është e rrezikshme. Juves i munguan hapjet e Pjanic dhe lëvizjet e shpejta të Douglas Costa që u pa shumë i ngadaltë dhe i kuptueshëm. Një frymëmarrje i dha Khedira me kalimin e minutave, por pa mjaftuar për të përmbysur spanjollët./Lapsi.al/
56 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë
Kallas: SHBA dhe Evropa duhet të qëndrojnë të bashkuara
Angela Martini rrëfen ‘puthjen’ me Donald Trump dhe divorcin...
Libohova tërheq turistë edhe në dimër, vizitorët kërkojnë të...
Sulm fizik gjatë një ahengu në Leposaviq, viktima dërgohet p...
24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit