Juljan Shehu: Botërori ëndërr, me serbët fitojmë për tifozët

10:54 | 8 Prill 2025
D.H

Juljan Shehu javë më parë e jetësoi ëndrrën e tij për ta veshur fanellën e kombëtares.

Risia e Silvinjos për kualifikueset e Botërorit, debutoi si startues në takimin e dytë kundër Andorrës dhe prej atëherë po merr vëmendjen kryesore te Vidzez Lodz, klubi polak ku ai luan.

Në një intervistë për Panorama Sport ai tregoi për emocionet me kombëtaren, lëndimin që e mbajti jashtë fushave për disa kohë si dhe sfidën me Serbinë.

“Është ndjesi shumë e bukur të jesh pjesë e Kombëtares dhe të përfaqësosh kombin tënd. Ndihem shumë krenar për këtë gjë. Ftesa e Shqipërisë dhe besimi nga Silvinjo për të marrë minuta që në grumbullimin e parë. Emocionet ishin të mëdha që nga momenti që mora ftesën deri te debutimi nga minuta e parë kundër Andorrës. E kam thënë dhe më parë, për mua është një ëndërr e bërë realitet. Padyshim ato ishin nga ditët më të bukura të jetës sime”, u shpreh ai.

Më tej ai foli për synimet e Shqipërisë në kualifikimet për Kampionat Botëror.

“Shqipëria ka një ëndërr, e cila është Botërori. Dhe ne do luftojmë deri në momentin e fundit për ta bërë këtë ëndërr realitet”, potencoi ai.

Ai foli edhe për përballjen me Serbinë.

“Serbia është ekip i fortë, ka lojtarë me kualitet të lartë, por nuk më pëlqen të veçoj emra. Duhet të përgatitemi për të fituar kundër Serbisë dhe të festojmë bashkë me tifozët tanë”, tha ndër të tjera.

Ndeshja e radhës e kuqezinjve është pikërisht ndaj Serbisë në muajin qershor./Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm