Interi shkruan histori, sulmi më i mirë i 28 viteve të fundit

15:31 | 7 Tetor 2025
D.H

Interi po përjeton një fillim sezoni spektakolar, sidomos në repartin ofensiv. Me 17 gola të shënuar në kampionat dhe 5 në Ligën e Kampionëve, skuadra zikaltër ka arritur në 22 gola në tetë ndeshjet e para të sezonit, një statistikë që nuk shihej që nga sezoni 1997/98.

Atëherë, skuadra e drejtuar nga Gigi Simoni e përfundoi kampionatin në vend të dytë pas Juventusit, mes polemikave të shumta, por fitoi Kupën UEFA ndaj Lazios. Në sulm spikaste “Fenomeni” Ronaldo Nazário, që mbylli sezonin me 34 gola në 47 ndeshje, i mbështetur nga emra si Zamorano, Recoba, Djorkaeff, Ganz e Kanu.

Sot, 28 vjet më vonë, gjithçka ka ndryshuar në Appiano Gentile, nga pronari e presidenti, deri te trajneri dhe lojtarët, por shifra e golave është e njëjtë. Interi i Cristian Chivu po tregon një potencial sulmues të frikshëm me Lautaro Martínez dhe Marcus Thuram, që kanë nga 3 gola secili, ndërsa Ange-Yoan Bonny ka shënuar 2 herë, dhe Francesco Pio Esposito ka gjetur gjithashtu rrugën e rrjetës.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, Chivu ka në dispozicion alternativa cilësore në sulm, diçka që Simone Inzaghi nuk e kishte me lojtarë si Taremi, Arnautovic apo Correa.

Në anën tjetër, problemi qëndron në mbrojtje: Interi ka pësuar 8 gola në kampionat, një nga mbrojtjet më të dobëta mes tetë ekipeve të para në renditje. Ironikisht, në sezonin 1997/98 skuadra e Simoni-t kishte pësuar 7 gola në të njëjtën periudhë.

Historia po përsëritet dhe Interi i Chivu po ndjek hapat e atij ekipi legjendar që kishte në krye “Fenomenin” Ronaldo.

Shpërndaje në rrjete sociale