I pari i futbollit në botë uron Agim Ademin për rizgjedhjen në krye të FFK-së

18:46 | 5 Shkurt 2026
D.H

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka uruar zyrtarisht Agim Ademin për rizgjedhjen e tij si president i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Në një letër zyrtare të dërguar nga Zyra e FIFA-s në Cyrih, Infantino i ka shprehur urimet më të përzemërta Ademit për mandatin e ri në krye të futbollit kosovar, duke vlerësuar kontributin e tij në zhvillimin e këtij sporti në Kosovë.

“Ju lutem pranoni urimet e mia më të ngrohta dhe përgëzimet e sinqerta për rizgjedhjen tuaj si President i Federatës së Futbollit të Kosovës”.

“Do t’ju isha mirënjohës nëse do t’i përcillnit gjithashtu urimet e mia edhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të zgjedhur bashkë me ju. Me këtë rast, dëshiroj t’ju falënderoj për të gjitha përpjekjet tuaja, punën dhe kontributin tuaj të rëndësishëm në zhvillimin e sportit tonë dhe në promovimin e vlerave të tij në Kosovë.”

“Ju uroj juve dhe ekipit tuaj suksese të mëdha në këtë mandat të ri dhe çdo sukses në përballjen me sfidat që ju presin përpara. Me kënaqësi pres, i nderuar President, të vazhdojmë bashkëpunimin për rritjen dhe prosperitetin e futbollit në Kosovë në vitet në vijim”, shkruhet në letrën e presidentit të FIFA-s të postuar nga FFK-ja.

Rizgjedhja e Agim Ademit dhe përkrahja e vazhdueshme nga FIFA konfirmojnë pozitën gjithnjë e më të fortë të Kosovës në arenën ndërkombëtare të futbollit.

Agim Ademi u rizgjodh president me 52 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në Kuvendin e mbajtur sot në mesditë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale