Humbje e madhe për Realin dhe Brazilin, Rodrygo këput ACL-në

16:15 | 3 Mars 2026
D.H

Goditje e rëndë për Real Madrid dhe për kombëtaren e Brazilit. Rodrygo ka pësuar këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e djathtë dhe do të mungojë rreth shtatë muaj. Kjo nënkupton fundin e sezonit dhe mungesën në Botërorin që nis pas 100 ditësh, raporton Marca.

Sulmuesi brazilian pësoi lëndim mbrëmë në ndeshjen kundër Getafes, të cilën Reali e humbi 0-1 në ‘Santiago Bernabeu’, shkruan Arbresh.info.

Gjithçka ndodhi në minutën e 66-të. Rodrygo pranoi topin në krahun e majtë dhe gjatë një duele me Adrián Liso, u përpoq të nisej me shpejtësi, por këmba iu bllokua në tokë. Dhimbja ishte e menjëhershme – ai ngriti këmbën dhe filloi të çalonte para se të binte në fushë.

Megjithatë, pavarësisht dhimbjeve, lojtari vazhdoi të luante për afro 30 minuta të tjera, madje duke krijuar edhe disa raste të rrezikshme. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse këputja ishte e plotë që në momentin e parë apo nëse vazhdimi i lojës e përkeqësoi dëmtimin.

Pas ndeshjes, Rodrygo raportoi shqetësime në zhveshtore. Por sot në mëngjes dhimbjet ishin shtuar ndjeshëm.

Ai iu nënshtrua rezonancës magnetike dhe testeve të tjera mjekësore, të cilat konfirmuan diagnozën e rëndë: këputje e ligamentit të kryqëzuar anterior në gjurin e djathtë.

Ky është lëndimi më i rëndë në karrierën e 23-vjeçarit, i cili deri më tani kishte pasur vetëm një mungesë më të gjatë se një muaj.

Rodrygo nuk do të jetë i gatshëm për pjesën e mbetur të sezonit me Real Madrid, ndërsa mungesa e tij në Botëror është tashmë e sigurt.

Kjo e vështirëson edhe rrjedhën e sezonit për Real Madridin, ku po ballafaqohet me rezultate të dobëta si dhe mungesën e Mbappes, Bellinghamit e Camavingës dhe Militaos./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme