Gravenberch optimist para ndeshjes me Realin, flet edhe për mesfushën dhe sulmin e Los Blancos

17:05 | 3 Nëntor 2025
D.H

Liverpooli nesër luan ndeshjen e madhe ndaj Real Madridit në ‘Anfield’, përballje e vlefshme për xhiron e katërt në Ligën e Kampionëve.

Në konferencën e zakonshme për media para ndeshjes ka dal mesfushori i Liverpoolit, Ryan Gravenberch, shkruan Arbresh.info.

Pas disa javësh mungesë për shkak të një lëndimi në kyçin e këmbës, Gravenberch u rikthye në fushë në ndeshjen e fundit të Premier League-s, ku shënoi një gol vendimtar kundër Aston Villës.

Sa i përket formës së tij ai ka treguar një këshillë që ia ka dhënë babai i tij.

“Besoj se kam filluar ta dëgjoj më shumë babain tim, gjithmonë më thotë ‘duhet të gjuash në portë’. Dhe e patë çfarë ndodhi. Duhet të gjuaj më shpesh”, tha ai.

Ndeshjen me Real Madridin e ka cilësuar të rëndësishme.

“Mendoj se çdo ndeshje është e rëndësishme. Nëse fitojmë, do të jetë shumë pozitive për ne, por duhet ta përqendrojmë gjithë vëmendjen tonë te Madridi”.

“Mendoj se ata po bëjnë shumë mirë, gjithë ekipi. Në veçanti Mbappé dhe Vini… janë shumë të fortë. Duhet të jemi në nivel të lartë nesër”, u shpreh holandezi.

Ai më tej është pyetur edhe për mesfushën e Real Madridit, si dhe Kylian Mbappen i cili po kalon në formë jetësore këtë edicion.

“Nuk kam parë shumë nga ndeshjet e Realit, por Arda Güler është një lojtar shumë i mirë. Ka një këmbë të majtë fantastike. Kam parë disa asistime shumë të mira të tij. Ka një lidhje të mirë me Mbappé, dhe duhet të përgatitemi mirë”.

“Mbappe? E njohim shumë mirë. Duhet të flisni me Konaté për këtë… por e dimë që është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Nuk do të jetë e lehtë, por do të përpiqemi ta ndalim”, deklaroi ai.

Liverpooli nuk është duke kaluar ecuri të mirë rezultateve ndeshjeve të fundit, ku ka gjashtë humbje në tetë përballjet e fundit në të gjitha garat./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale