Granit Xhaka arrin marrëveshje personale me Sunderland-in

13:48 | 22 Korrik 2025
E.G

Gazetari i njohur britanik, David Ornstein, të martën ka raportuar se mesfushori shqiptar i Bayer Leverskuenit, Granit Xhaka është afër rikthimit në Premier League.

Ish-futbollisti i Arsenalit, duket se sërish do të shijoj emocionet e ligës më të fortë në Evropë, Premier League.

Xhaka është shumë pranë rikthimit në futbollin anglez, kësaj radhe jo te Arsenali, por te klubi i rikthyer në Premier League, Sunderland.

Reprezentuesi shqiptar i Zvicrës, siç raportohet, e ka njoftuar klubin e tij aktual, Bayer Leverksuen për dëshirën e tij për t’u transferuar tek Sunderland gjatë kësaj vere.

Madje, thuhet se tashmë 32 vjeçari ka arritur marrëveshje personale me Sunderlandin. Ai ka kërkuar nga Leverkusen që ta mbyllë sa më parë marrëveshjen me klubin anglez.

Shuma e transferimit pritet të jetë nga 10 deri15 milionë euro, derisa kontrata e Sunderland që i është ofruar Xhakës është 2+1 sezone

Kalimi nga një skuadër kampione si Bayer Leverkusen drejt një ekipi që sapo ka hyrë në elitën e futbollit anglez mund të duket si hap i pazakontë.

Por kjo është një lëvizje strategjike nga ana e Sunderlandit, që synon ndërtimin e një projekti ambicioz për konsolidimin në Premier League.

Xhaka shihet si lojtar kyç i këtij projekti. Përvoja e tij në nivelet më të larta të futbollit evropian, lidershipi i provuar dhe energjia konkurruese e bëjnë atë të përshtatshëm për të udhëhequr skuadrën në një fazë të re.

Përveç një page të lartë, mesfushori shqiptar pritet të marrë një rol qendror në ndërtimin e stilit të lojës dhe organizimit taktik të ekipit.