Florentino Perez po përballet me një fushatë gjithnjë e më të vështirë

20:00 | 1 Qershor 2026
D.H

Procesi zgjedhor në Real Madrid po shkon më i tensionuar sesa pritej për presidentin aktual Florentino Pérez, i cili ka thirrur zgjedhje të parakohshme në klub.

Sipas mediave spanjolle, edhe pse Pérez vazhdon të mbetet favorit për të fituar, fushata e tij nuk po ecën aq lehtë sa ishte parashikuar fillimisht.

Një nga problemet kryesore mbetet fakti se ende nuk është zyrtarizuar trajneri i ri i klubit, edhe pse përflitet shumë për një rikthim të mundshëm të José Mourinho. Megjithatë, me kalimin e ditëve, entuziazmi për këtë ide po zbehet.

Një tjetër çështje e rëndësishme është debati rreth ndryshimit të modelit të pronësisë së klubit, i cili pritet të diskutohet në asamblenë e ardhshme të socios.

Ky projekt ka ndikuar në rritjen e mbështetjes për kandidatin rival Enrique Riquelme, i cili po fiton terren në mesin e votuesve.

Sipas raportimeve, fushata e Florentino Pérez është fokusuar kryesisht në intervista në media të mëdha, por nuk ka arritur ende të sqarojë plotësisht te socios se çfarë nënkupton ky model i ri dhe pse është i nevojshëm.

Riquelme ka kërkuar një debat të drejtpërdrejtë televiziv në kanalin zyrtar të klubit, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Ky propozim është mbështetur edhe nga një pjesë e shoqatave të tifozëve, të cilët vlerësojnë idenë e një gare më transparente mes kandidatëve.

Ai gjithashtu ka kërkuar një garanci noteriale nga Pérez se gjatë mandatit të tij nuk do të shitet asnjë pjesë e klubit, kërkesë që gjithashtu nuk është pranuar.

Ndërkohë, Riquelme pritet të bëjë një njoftim të rëndësishëm këtë javë, ku sipas raportimeve mund të prezantojë dy lojtarë të mëdhenj që do t’i bashkoheshin Real Madridit në rast se ai fiton zgjedhjet.

Gjithashtu, ai përmend edhe emra trajnerësh të njohur si Mikel Arteta dhe Cesc Fàbregas, si dhe planin për një drejtor sportiv të ri.

Fushatë e gjatë dhe e lodhshme për Florentino Pérez

Edhe pse mbetet favorit i qartë, fushata e Florentino Pérez po rezulton më e gjatë dhe më e komplikuar se sa ishte pritur. Me çështje të hapura si trajneri i ri dhe modeli i klubit, presioni ndaj tij po rritet çdo ditë.

Sipas analistëve, këto zgjedhje mund të ndikojnë jo vetëm në rezultatin final, por edhe në mënyrën se si do të perceptohet figura e tij në publik në të ardhmen.

Megjithatë, për momentin, Pérez mbetet kandidati kryesor për të vazhduar në krye të Real Madridit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale