Flick pas fitores me Rayon: E rëndësishme ishin tri pikët, Joan Garcia tregoi cilësinë

17:28 | 22 Mars 2026
D.H

Trajneri i FC Barcelona, Hansi Flick, është shprehur i kënaqur pas fitores së skuadrës së tij ndaj Rayos me rezultat 1-0 në La Liga, duke theksuar se më e rëndësishmja ishte sigurimi i tri pikëve pas një serie të ngarkuar ndeshjesh.

“Jam i lumtur. Nuk ishte e lehtë për ne, por pas kaq shumë ndeshjeve në javët e fundit, më e rëndësishmja ishin tri pikët. Tani kemi 15 ditë pushim dhe lojtarët do t’u bashkohen përfaqësueseve të tyre. Është normale, pasi të gjithë duan të jenë me vendin e tyre”, deklaroi Flick fillimisht për DAZN.

Tekniku gjerman pati fjalë të mëdha për portierin Joan García, i cili ishte vendimtar në këtë sfidë.

“Ai tregoi forcën dhe cilësinë që ka dhe e mbajti portën e paprekur. Për këtë arsye e kemi sjellë te Barça”, u shpreh Flick.

Sa i përket menaxhimit të minutave për lojtarë si Dani Olmo dhe Fermín López, ai theksoi rolin e tyre të rëndësishëm në skuadër.

“Dani na jep më shumë kontroll dhe është shumë i rrezikshëm në zonë. Fermín është shumë dinamik, e pamë edhe kundër Neëcastle”, tha ai.

Flick nuk e fshehu gëzimin për golin e mbrojtësit Ronald Araújo: “Jam shumë i lumtur për të, sepse shënoi një gol të rëndësishëm për ekipin”.

Në konferencën për media, trajneri i Barcelonës vlerësoi edhe kundërshtarin, Rayo Vallecano.

“Rayo bëri një ndeshje fantastike. Luajtën të enjten dhe sot ishin në nivel shumë të lartë. Është e pabesueshme. Iñigo Pérez po bën një punë të shkëlqyer dhe më pëlqen mënyra si luan skuadra e tij”, deklaroi ai.

Gjermani foli edhe për vendimin që Ferran Torres të niste nga stoli: “Nuk dua të flas për individë, por për ekipin. Kur hyri në lojë, Ferran ishte i mirë”.

Ndërkohë, ai konfirmoi se João Cancelo është në gjendje të mirë fizike: “Ndeshja e tij ishte e jashtëzakonshme. Deshi të vazhdojë dhe luajti shumë mirë në pjesën e dytë”.

Flick theksoi gjithashtu vështirësitë që po kalon skuadra për shkak të mungesave të shumta, duke përmendur emra si Jules Koundé, Frenkie de Jong, Alejandro Balde dhe Andreas Christensen.

Për talentin e ri Marc Bernal, ai shtoi: “Mund të përmirësohet dhe do të përmirësohet, por performanca e tij është fantastike. Është shumë inteligjent me topin dhe na jep shumë opsione”.

Në fund, Flick vlerësoi edhe paraqitjen e Raphinha, duke theksuar se ai mbetet një nga lojtarët kyç të ekipit, por shtoi se Barcelona duhet të përmirësohet për të arritur objektivat ambicioze në muajt e ardhshëm.

Me këtë fitore, Barcelona ka 73 pikë, shtatë më shumë se Real Madridi që është edhe ndjekësi i parë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale