FFK i reagon ashpër Federatës serbe të futbollit

11:51 | 21 Qershor 2019
M. A.

Muaj më parë në media u publikua lajmi se është krijuar ‘Federata e Futbollit të Kosovës dhe Metohi’, ku kryetar ishte zgjedhur i dyshuari në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Milan Radoiçiq.

Ndërsa ditë më parë në mediat serbe u raportua se “FK Trepça” nga Mitrovica e Veriut është ngritur një rang më lartë në garat e organizuara nga Federata e Futbollit të Serbisë.

Sot gjatë ditës, ka reaguar Federata e Futbollit të Kosovës duke e cilësuar si ilegale këtë aktivitet.

“FFK bën me dije se në institucionet shtetërore dhe sportive të Republikës së Kosovës janë të regjistruara KF “Trepça’89”, që bën gara në Superligën e Kosovës dhe KF “Trepça” që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës dhe ato janë klubet e vetme legjitime me këtë emër”, thuhet në komunikatën e FFK-së.

“FFK e konsideron ilegal çdo aktivitet të klubeve të paregjistruara në institucionet e shtetit dhe organet e saj dhe kërkon ndërprerjen e menjëhershme të këtyre aktiviteteve, të cilat në masë të madhe e dëmtojnë imazhin e FFK-së por edhe të vet shtetit”, thuhet tutje në komunikatë.

FFK ka bërë të ditur se do t’i njoftoj organet e UEFA-së për këtë veprim si dhe do të kërkoj sqarime nga Federata e Futbollit të Serbisë.

“FFK do ta shqyrtojë këtë çështje me organet e UEFA-s dhe do të kërkojë sqarim edhe nga Federata e Futbollit e Serbisë, sepse ajo e di fare mirë se nuk i lejohet të organizojë gara në territorin e një vendi tjetër anëtar të UEFA-s”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Përveç kësaj, FFK i ka bërë thirrje edhe institucioneve të shtetit që të reagojnë për këtë çështje.

“FFK kërkon nga të gjitha institucionet, presidenti, kryeministri, ministria e sportit dhe grupi negociator për dialog me Serbinë që të reagojnë për këtë çështje në organet ndërkombëtare, pasi veprimet e tilla janë mashtruese dhe qëllimkëqija për popullatën e asaj pjese të qytetit të Mitrovicës me rrethinë”, njofton FFK.

FFK ka bërë të ditur se nëse do të lejohen aktivitete të tilla në të ardhmen pa lejen e tyre, atëherë do të kërkohet edhe ndërhyrja e Policisë së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale