Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka dalë në konferencë për media në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të UEFA Champions League kundër Liverpool, duke ulur pritshmëritë dhe duke theksuar se kjo përballje nuk ka favorit.
Në konferencën e mbajtur në qendrën stërvitore në Poissy, tekniku spanjoll rikujtoi edhe përballjen e sezonit të kaluar, duke nënvizuar se parashikimet shpesh nuk vlejnë në këto nivele.
“Nuk është e rëndësishme kush është favorit. Në këto ndeshje është e pamundur të përcaktohet një i tillë. Nuk besoj se jemi favoritë. Vitin e kaluar të gjithë mendonin se Liverpooli ishte favorit, por u kualifikua PSG. Për mua, nuk ka favorit”, deklaroi ai.
Sa i përket lojtarëve të dëmtuar, Enrique theksoi se rikthimi i tyre varet nga ndjesitë personale.
“Sa herë që një lojtar është i lënduar, duhet pritur. Duam t’i rikuperojmë sa më shpejt, por pa rrezikuar. Është normale të luhet me pak dhimbje, por duhet besim te lojtari”.
Për mesfushorin Fabián Ruiz, ai konfirmoi se ende nuk është gati.
“Ka përparuar shumë dhe jemi të kënaqur, por ende i duhet pak kohë. Nuk ka stërvitur ende plotësisht me ekipin”.
Enrique e kujtoi ndeshjen e kaluar ndaj Liverpoolit si një nga më të mirat, pavarësisht humbjes.
“Ishte një ndeshje e nivelit të lartë. Do të firmosja për të njëjtin nivel loje, jo për rezultatin. Ne kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit apo stadiumit”.
Ai shtoi se atmosfera në “Parc des Princes” është një plus i madh.
“Do të mundohemi të shijojmë ndeshjen në shtëpi. Kemi mbështetje të jashtëzakonshme nga tifozët”.
Trajneri spanjoll vlerësoi edhe rëndësinë e lojtarëve si Gonçalo Ramos.
“Çdo ekip që synon trofe ka nevojë për lojtarë si Ramos apo Lee. Janë shumë të rëndësishëm dhe jemi të lumtur që i kemi”.
Për Achraf Hakimi, ai tha se po rikthehet në formën më të mirë pas një periudhe të vështirë.
“Ka kaluar momente të vështira me lëndimet, por tani është i lumtur dhe kjo reflektohet në fushë. Është shumë i rëndësishëm për ne”.
Ndërkohë, për gjendjen e Bradley Barcola, Enrique u shpreh.
“Nëse është në raportin mjekësor, nuk luan. Ka bërë progres, por i duhet ende kohë për të rikthyer besimin e plotë”.
Në fund, trajneri i PSG-së theksoi se ndeshja mund të jetë e ngjashme me atë të vitit të kaluar.
“Varet shumë nga rezultati dhe rrjedha e lojës. Do të mundohemi të kontrollojmë topin dhe dimë që përballemi me një ekip shumë të fortë”.
“Që nga dita e parë kam kërkuar të njëjtën gjë: të ruajmë identitetin dhe të luajmë futboll të bukur. Mund të fitojmë ose humbasim, por duhet të dimë si të fitojmë. Me këta tifozë pas nesh, gjithçka bëhet më e lehtë”, përfundoi strategu spanjoll.
Ndeshja mes PSG dhe Liverpool luhet nesër me fillim nga ora 21:00./Arbresh.info
Kriza me derivate, ndërmarrja “Trepça” ndan 400 mijë euro pë...
Alarmon shoqata e qumështarëve: Jemi në një situatë alarmant...
Azemi: Punëtorët teknik dhe fizik të Prishtinës kërkojnë pag...
“Një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”, Trump kërcënon sër...
Luftohet për play-off dhe mbijetesë, nesër tri përballje të ...
Protesta për Gjuhën Shqipe: E drejta në anën e studentëve me...