Enrique paralajmëron para ndeshjes me Chelsean: Motivimi i tepërt mund të bëhet problem

19:16 | 10 Mars 2026
D.H

Paris Saint-Germain do të presë këtë të mërkurë Chelsea në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-s së finales në UEFA Champions League.

Përballja pritet të jetë shumë e zjarrtë, sidomos për shkak të rivalitetit që është krijuar pas finales së verës së kaluar në FIFA Club World Cup, ku skuadra londineze triumfoi ndaj parisienëve.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, paralajmëroi se motivimi i tepërt i lojtarëve mund të kthehet në problem.

“Motivimi i madh mund të jetë edhe problem”, deklaroi tekniku spanjoll, duke theksuar se skuadra duhet të ruajë qetësinë dhe përqendrimin.

Ai gjithashtu u ndal te atmosfera që rrethon këtë sfidë, veçanërisht pas humbjes së fundit të PSG-së ndaj AS Monaco në kampionat. Sipas tij, reagimet e tepërta pas rezultateve janë normale, por ekipi duhet të ruajë ekuilibrin.

“Nuk më shqetëson zhurma përreth. Kur rezultatet janë të mira ka optimizëm të tepruar, ndërsa kur janë të këqija ka pesimizëm. Duhet të gjejmë balancën”, u shpreh ai.

PSG mbron titullin e fituar sezonin e kaluar në UEFA Champions League, edhe pse këtë sezon nuk arriti të renditet në tetëshen e parë dhe iu desh të kalonte fazën e “play-off”-it për të siguruar kualifikimin në 1/8-at e finales.

“Fitorja e parë është gjithmonë më e vështira. Por as e dyta nuk është e lehtë. Tani të gjithë e dinë se mund ta fitojmë sërish dhe kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë”, theksoi Luis Enrique.

Në fund, trajneri spanjoll shtoi se në dhomat e zhveshjes mbizotëron qetësia dhe besimi, edhe pas humbjes së fundit në kampionat, që bëri që Lens t’i afrohet vetëm një pikë në garën për titull.

“Mesazhi im për lojtarët është i njëjtë si kur fitojmë, ashtu edhe kur humbasim. Po hyjmë në momentet vendimtare të sezonit dhe është e bukur të përgatitesh për ndeshje të tilla”, përfundoi ai./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale