Elanga kërkon revanshin sonte ndaj Kosovës: Dua ta kualifikoj Suedinë në Botëror

18:36 | 13 Tetor 2025
D.H

Sulmuesi i Newcastle Unitedit Anthony Elanga ka shprehur vendosmërinë për të ndihmuar Suedinë të marrë revansh ndaj Kosovës në ndeshjen e kthimit të kualifikueseve të Kupës së Botës, që zhvillohet sonte në stadiumin “Ullevi” të Goteborgut.

Në shtator, Suedia u mposht 2–0 në Prishtinë – një humbje që u cilësua si dështim i madh nga mediat suedeze. Por, Elanga thotë se ekipi është i përgatitur për të treguar një fytyrë tjetër.

“Jam shumë i revanshshtuar. E di sa shumë do të thotë kjo ndeshje për popullin suedez dhe për mua personalisht. Kam humbur një Botëror më parë kur u mundëm nga Polonia me 2–0, dhe nuk dua që historia të përsëritet. Dua ta çoj Suedinë në Botëror”, tha ai për “Dagens Nyheter”.

Elanga u zëvendësua në minutën e 72-të të ndeshjes në Prishtinë nga Alexander Isak, i cili në atë kohë sapo kishte përfunduar transferimin e tij nga Newcastle te Liverpool. Sot, me Isakun në formë të mirë konkurrenca për një vend në sulm është rritur.

“Nuk ka rëndësi nëse e filloj ndeshjen apo hyj nga stoli. E di që mund të shënoj në të dy rastet. Më e rëndësishmja është që të fitojmë”, shtoi Elanga.

Një tjetër lojtar që kërkon revansh është mesfushori Hugo Larsson i Eintracht Frankfurt, i cili pranon se humbja në Kosovë ishte e vështirë për t’u përtypur.

“Pamë disa video nga ajo ndeshje dhe, po, nuk ishin shumë të këndshme. Shumë gjëra shkuan keq. Por e kemi lënë pas dhe tani jemi gati për të treguar që Suedia është më e fortë në shtëpi”, – tha Larsson.

Ai zbuloi se kishte luajtur i sëmurë në atë ndeshje dhe është përpjekur të kthejë formën e tij pas disa javësh të vështira në Gjermani.

“Kur humb një ndeshje si ajo, dëshira për t’u hakmarrë është edhe më e madhe. Duam t’u tregojmë që këtë herë janë në Suedi dhe nuk kanë asgjë për të marrë këtu”.

Elanga pret mbështetje të madhe nga tifozët në “Ullevi”, sidomos nga miqtë e tij në Boras, qyteti ku është rritur.

“Janë vetëm 30-40 minuta larg, kështu që shumë prej miqve të mi do të jenë në stadium. Do të jetë një ndjenjë e veçantë të luaj në Goteborg”, përfundoi ai.

Ndeshja Suedi – Kosovë luhet sonte në orën 20:45, në një “Ullevi” të mbushur plot.

Shpërndaje në rrjete sociale