Ish-portieri holandez dhe fitues i Ligës së Kampionëve me Manchester United, Edwin van der Sar, ka zbuluar se në vitin 1999 kishte dy mundësi të mëdha për karrierën e tij, Liverpool ose Juventus.
Në një rrëfim për “La Gazzetta dello Sport”, Van der Sar tha se zemra e tij e çoi drejt Italisë.
“Kisha dy opsione: Liverpoolin ose Juventusin. Fola me të dyja klubet, por Serie A në atë kohë ishte kampionati më i fortë në botë. Juventus ishte një klub historik dhe na kishte mposhtur në finalen e Ligës së Kampionëve më 1996. Më pëlqente fanella bardhezi dhe ideja për të luajtur te skuadra ku kishte shkëlqyer legjenda si Dino Zoff,” kujtoi ai.
Holandezi pranoi se aventura në Torino nuk ishte e lehtë.
“Te Juventusi kishte shumë ndryshime krahasuar me Ajaxin. Nuk bëra paraqitjet më të mira, por nuk kam asnjë pendim. Në futboll, kur sulmuesi nuk shënon apo portieri nuk shpëton gola, kritikat janë pjesë e lojës. Megjithatë, përvoja ime në Itali ishte e mrekullueshme,” theksoi Van der Sar.
Ai ruan kujtime të ngrohta edhe nga shokët e skuadrës.
“Verën kur mbërrita, të gjithë më ftuan për darkë: Ferrara, Iuliano, Zidane, Inzaghi, Zambrotta, Davids… Restorantet e Torinos ishin fantastike. Në fund të mbrëmjes nxirrja kartën e kreditit, por nuk më lejonin kurrë të paguaja”, tregoi ish-portieri holandez.
Van der Sar luajti dy sezone te Juventusi, para se të transferohej në Premier Ligë dhe të bëhej një nga portierët më të mëdhenj në historinë e Manchester United./rtk
Berisha: Shqiptarët dhe mbarë bota po pret guximin tonë në p...
Vinicius mund të rinovojë me Real Madridin së shpejti
Radev jep dorëheqje si president i Bullgarisë mes thashethem...
KEK-u padit Janina Ymerin për deklaratat e saj për rrymën në...
Përfundon mbledhja, LDK thërret Kuvendin më 31 janar –...
Kosova ngritet për një pozitë në ranglistën e FIFA-s