Dy yjet e Barçës kthehen për ndeshjen me Chelsean, por mungon ende futbollisti kryesor i mesfushës

16:41 | 24 Nëntor 2025
D.H

Barcelona ka marrë një tjetër goditje përpara ndeshjes së shumëpritur kundër Chelseat, pasi mesfushori i talentuar Pedri do të mungojë edhe këtë javë.

Ai ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi i fundit dhe nuk do të jetë pjesë e listës së udhëtimit për duelin në “Stamford Bridge”.

Pedri pësoi lëndim në “El Clasicon” me Real Madridin, dhe që nga ajo kohë ende nuk ka arritur të jetë gati qind për qind, ani pse pati raportime se do të kthehet ndaj Chelseas.

Mirëpo të gatshëm për këtë takim do të jenë dyshja Frenkie de Jong dhe Marcus Rashford të cilët janë rikthyer në stërvitjet me grupin dhe janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme.

Dyshja mungoi në fundjavë në fitoren e thellë ndaj Bilbaos me rezultat 4-0, pas problemeve që patën nga grumbullimi me kombëtaret e tyre.

Sfida me Chelsean për Barcelonën e ka një rëndësi të madhe, pasi katalanasit nuk njohin fitore në Ligën e Kampionëve tash e dy ndeshje.

Pas katër ndeshjeve të luajtura ata kanë shtatë pikë dhe ndodhen në pozitën e 11-të.

Kjo sfidë luhet nesër me fillim nga ora 21:00./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale