Duka për bashkëpunimin me Serbinë: E dimë historinë, por nuk mendojmë se duhet të ngelemi peng i historisë

19:52 | 17 Shkurt 2025
D.H

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka, zhvilloi një intervistë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Skaner” në MCN TV.

Për më shumë se një orë, Duka foli për shumë tema të rëndësishme që i përkasin futbollit shqiptar.

Ndër temat kryesore ishtin edhe aktivitetet e rëndësishme që FSHF do të organizojë dhe mirëpresë në Shqipëri, si dhe vendimi i rëndësishëm i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të caktuar Shqipërinë si një nga vendet për të organizuar Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027.

Shqipëria së bashku me Serbinë kanë marrë dritën jeshile për të organizuar këtë event.

“Ne kemi aplikuar për të qenë organizatorë të Kampionatit Europian U-21 si garues i vetëm, edhe Serbia i vetëm, edhe Turqia dhe Belgjika. Me pragmatizëm, rrugës, ne menduam që bashkimi i dy Federatave do të ishte më afër vendimit për ta organizuar. Ne mendojmë që organizimi i një Kampionati Europian 21-vjeçarësh është një aktivitet i madh dhe shumë i rëndësishëm për futbollin dhe Shqipërinë”.

“Është një aktivitet që promovon futbollin në përgjithësi, promovon futbollistët që do luajnë me Kombëtaren U-21, sepse ekipi do të marrë pjesë si organizator, përmirëson infrastrukturën, vendos futbollin shqiptar në qendër të vëmendjes. Padyshim që jemi njerëz të futbollit, por edhe qytetarë shqiptarë. E dimë historinë, por nuk mendojmë se duhet të ngelemi peng i historisë, por duhet të shohim përpara, ne nuk i ndryshojmë as fatet e as gjeografinë”.

“Ne nuk e rishkruajmë dot historinë, ne nuk amnistojmë askënd, por shohim përpara për të bashkëpunuar dhe shohim të mirën e futbollit. Mesazhi që ne japim është mesazh qytetari, paqeje dhe bashkëpunimi. Nuk mendoj se i bën keq askujt. I kuptoj ata që kanë sensibilitet për atë që kanë kaluar, por duhet të dish të ndërtosh të ardhmen”, tha ndër të tjera i pari i FSHF-së./Arbresh.info