Duka: Dyert e Kombëtares shqiptare të hapura për lojtarët e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

14:17 | 30 Tetor 2025
E.K

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, foli gjerësisht për Kombëtaren shqiptare, për lojtarët me origjinë shqiptare që përfaqësojnë Shqipërinë, si dhe për ata që kanë zgjedhur të luajnë për Maqedoninë e Veriut apo Kosovën.

Presidenti Duka u ndal gjithashtu te marrëdhëniet me presidencën e re të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, roli i tij si Zëvendëspresident i UEFA-s, organizimi i finaleve të Kampionatit Europian U-21 në bashkëpunim me Serbinë dhe shumë çështje të tjera me interes për publikun.

Më poshtë, intervista e plotë e Presidentit Duka në emisionin “Hajde Flasim” në TV21:

Sa e rëndësishme është për futbollin në Shqipëri roli juaj si zëvendëspresident i UEFA-s? – Kënaqësi që jam në TV 21, që unë e ndjek vazhdimisht. Për herë të parë jam në një televizion në Maqedoninë e Veriut për një intervistë në studio. Pozicionimi apo përfaqësimi i një federate në UEFA është i rëndësishëm për çdo lloj federate. Tregon kontributin dhe vlerësimin e një federate në tërësi dhe jo të një individi që është në rastin konkret Presidenti i FSHF. Besoj se është një zhvillim pozitiv. Nuk lidhet me sa projekte fiton FSHF. Nuk je anëtar i Komitetit për të fituar projekte të padrejta por je anëtar i Komitetit për të ndërtuar politika dhe strategji për zhvillimin e futbollit europian. Pjesë e të cilit jemi edhe ne, Maqedonia e Veriut dhe Kosova dhe të gjithë të tjerat. Në nivel europian është zhvillimi i përbashkët i futbollit.

Fitorja ndaj Serbisë e Kombëtares dhe shanset për t’u kualifikuar në Botëror? – Është një rrugëtim i vështirë botërori, është një rrugëtim akoma më i vështirë se sa kualifikueset për Kampionatin Evropian, të cilin ne e kemi e kemi prekur dy herë gjatë tetë viteve të fundit. Rezultati me Serbinë i parë në këndvështrimin sportive ishte shumë i rëndësishëm për neve, sepse na mban në lojë për të qenë pretendent për Play-Off-in e Botërorit. Nuk jemi ende në play-off, kemi ndeshje kundër Andorrës, kemi ndeshjen kundër Anglisë, pra janë dy ndeshjet tona. Dy ndeshjet e Serbisë, për të përcaktuar padyshim që jemi pretendent serioz. Jemi një pikë, vetëm një pikë para Serbisë.

Duhet të vlerësojmë maksimalisht Andorrën. Është një kundërshtar i cili mund të dëmtojë një kundërshtar, që në fushën e vet nuk është i lehtë për t’u mundur. Nëse mendohet para ndeshjes si ne kemi fituar, nuk do ta fitojmë atë, por unë shpresoj shumë dhe kam besim që futbollistët e kombëtares shqiptare janë aq profesionistë që të kuptojnë rëndësinë dhe vlerësimin që duhet t’i japin asaj ndeshje për ta fituar atë pastaj, se ç’bëjnë të tjerët, duhet ta shohim. Nuk ka shumë diferenca në ekipet kombëtare sot. Janë ngushtuar shumë diferencat. Është e vështirë të parashikosh rezultate. Me ndonjë përjashtim të vogël, ndonjë skuadër teke që mund ta parashikosh, të tjerat janë të paparashikueshme

Afrimi i futbollistëve me origjinë nga Kosova apo Maqedonia në Kombëtaren shqiptare? – Ne kemi hapur dyert për ekipin kombëtar prej vitesh për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe besoj se kjo është gjëja më e mirë që kemi bërë. Jemi me fat që kemi kaq shumë tifozë jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, por edhe jashtë saj. Në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe jashtë saj. Strategjia jonë ka qenë që çdokush që flet shqip, që ka dëshirë, talent dhe do të kontribuojë për Kombëtaren dhe flamurin kuqezi, ne i kemi hapur dyert. Edhe në kohën kur Kosova nuk kishte skuadër, që ishte një urë për ta afruar Kosovën me FIFA-n dhe UEFA-n dhe jemi të lumtur që kemi kaq shumë talente shqiptarë. Do të respektojmë vendimet e tyre për të kontribuar për kombëtaren e Shqipërisë apo edhe nëse vendosin ndryshe.