Një dëshmi lidhur me shkaqet e aksidentit tragjik të tifozëve të PAOK-ut me shumë viktima në Rumani u transmetua në televizionin shtetëror grek ERT nga mjeku grek Dimitris Koukoulas.
Sipas tij, një nga të plagosurit, tifoz i PAOK-ut, i ka treguar iu ka bllokuar timonin, duke mos i lejuar shoferit ta rikthente automjetin në korsinë e djathtë pas parakalimit.
Siç bëri të ditur mjeku, ky i plagosur është në gjendje më të mirë krahasuar me dy të tjerët, me fraktura kryesisht në gjymtyrët e poshtme, dhe i ka përshkruar momentet dramatike pak para aksidentit.
Kjo dëshmi i shtohet elementeve që autoritetet përkatëse po shqyrtojnë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes tragjike.
Sipas mjekut, prindërit e viktimave kanë nisur tashmë të mbërrijnë në Rumani për procesin e vështirë të identifikimit të të afërmve të tyre.
Sa i përket gjendjes shëndetësore të tre të plagosurve, ka optimizëm.
Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, deklaroi në Open se “nga tre të plagosurit, njëri për mrekulli nuk ka pësuar asgjë, i dyti ka disa fraktura por jo serioze, ndërsa i treti është politraumatik me fraktura të rënda në zona të rrezikshme – qafë, shtyllë kurrizore, klavikulë – por jeta e tij nuk është në rrezik dhe nuk duket se ka dëmtime neurologjike”.
Ai shtoi se ende nuk dihet nëse i treti mund të transportohet.
“Njëri mund të kthehet me avion të linjës, tjetri ka lëndime por mund të lëvizë, ndërsa për të tretin mund të jetë e nevojshme të dërgohet avion special, nëse lejohet transportimi i tij”, tha Georgiadis.
Ambasadorja e Greqisë në Rumani, Lili Grammatikí, vizitoi mbrëmjen e së martës spitalin dhe u informua për gjendjen e të plagosurve.
“Gjendja e tyre është e qëndrueshme. Një i plagosur është në gjendje mjaft të mirë dhe një tjetër ndodhet në terapi intensive, por të gjithë kanë prognozë pozitive dhe nuk kanë nevojë për gjak. Brenda kësaj tragjedie, këto janë lajme disi optimiste”, deklaroi ajo për APE-MPE.
Ambasadorja bëri të ditur se i plagosuri në terapi intensive nuk është i intubuar, por ndodhet në koma artificiale. Gjatë ditës së sotme pritet të dalin të gjitha rezultatet e ekzaminimeve dhe mjekët do të vendosin nëse nevojitet ndërhyrje kirurgjikale.
Po ashtu, ajo theksoi se ambasada është në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet rumune për riatdhesimin e viktimave, trupat e të cilëve ndodhen në morgun e qytetit Lugoj.
“Procesi i identifikimit nuk ka përfunduar ende. Pasi të përmbyllet, do të nisim procedurat për transferimin e tyre në Greqi”, u shpreh ajo, duke shtuar se emrat e viktimave janë të njohur dhe familjarët janë njoftuar, por nuk do të bëhen publikë para përfundimit të identifikimit zyrtar.
Mes tyre një i vdekur është edhe një shqiptar i Greqisë./Arbresh.info
Prokurorja Pula: Të gjithë kandidatëve për deputet që u janë...
Ulutash pret zëvendëskomandantin e AJFC të Napolit, flasin p...
34 fusha në 4 vite – FFK përmes një videoje zbulon fushat e ...
Debat mes ‘treshit përsheshit’, Klodi i kthehet ashpër Elijo...
Nagavci çon në Prokurori procesin e zgjedhjes së Drejtorit t...
Policia zbardhë detajet e fundit nga rasti që ndodhi në Vete...