Bunjaki: S’do të bëhesha trajner i Kosovës po të ishte projekt një-vjeçar

20:54 | 6 Shtator 2019
A Z

Ish-trajneri i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki, ka bërë të ditur se ai nuk do ta kishte pranuar ofertën e Kosovës për t’u bërë trajner nëse projekti s’do të kishte qenë afatgjatë, por vetëm njëvjeçar.

Sonte në emisionin sportiv “Favorit”, ku po diskutohet për dy ndeshjet e radhës të Kosovës, në T7 janë të ftuar ish-trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Albert Bunjaki, dhe trajneri i njohur mitrovicas, Gani Sejdiu, raporton Gazeta Express.

Bunjaki e mbajti pozitën e trajnerit të Kosovës nga 1 janari i vitit 2009 deri më 8 tetor të vitit 2017, megjithatë rolin më të madh në skuadër e pati pas vitit 2016 kur Kosova u bë pjesë e FIFA-s dhe UEFA-s.

Përfaqësuesja e Kosovës që nga pranimi në UEFA dhe FIFA i kishte humbur shtatë nga tetë ndeshjet e zhvilluara në arenën ndërkombëtare me Bunjakin në pozitën e trajnerit, i cili ishte përballur me disa kundërshtarë të mëdhenj si Kroacia.

“Në çështjen e Kosovës, kur kam hyrë, kam hyrë si projekt. Po ta kisha pasur mundësinë për të qenë trajner i Kosovës vetëm për një vit, sigurisht se nuk do ta kisha pranuar, pavarësisht se është vendi im dhe krejt”.

“Unë nuk besoj në projekte afatshkurta, unë besoj në projekte afatgjatë dhe se ndryshimet nuk vijnë brenda natës”.

Gjatë ditëve në vijim, më 7 dhe 10 shtator, Kosova do të zhvillojë ndeshje në “Fadil Vokrri” kundër Çekisë dhe tre ditë më vonë do ta vizitojë Anglinë, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020.

Përveç që në këto dy ndeshje Kosova do të përballet me Kombëtare të ranguara më mirë në renditjen e FIFA-s, “Dardanëve” do t’u mungojnë edhe pesë futbollistë të cilët zakonisht janë standardë – Arbër Zeneli, Milot Rashica, Herolind Shala, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli.

Kosova deri më tani i ka grumbulluar pesë pikë nga tri ndeshje të zhvilluara – dy barazime dhe një fitore – duke u radhitur e treta në Grupin A, me një pikë më pak se Anglia dhe Republika Çeke.

Shpërndaje në rrjete sociale