Bastoni pret ofertën e Barcelonës, por katalanasit kanë prioritete tjera

16:39 | 4 Maj 2026
D.H

Mbrojtësi italian Alessandro Bastoni është në pritje të një lëvizjeje nga Barcelona. Qendërmbrojtësi i Interit, i cili sapo ka fituar titullin në Serie A, është i hapur për t’u transferuar te klubi katalanas dhe thuhet se është i vetmi ekip për të cilin do të largohej nga “nerazzurrët”.

Bastoni po pret që Barcelona të bëjë një ofertë zyrtare për Interin, në mënyrë që më pas të ulet me drejtuesit e klubit italian dhe të kërkojë largimin, raporton Mundo Deportivo.

Megjithatë, nga kampi blaugrana bëhet e ditur se aktualisht kanë prioritete tjera në merkato, ku në plan të parë është përforcimi i repartit ofensiv.

Një tjetër pengesë për transferimin mbetet çmimi i lojtarit. Në Itali raportohet se Interi e vlerëson rreth 70 milionë euro, ndërsa nga rrethi i lojtarit besohet se marrëveshja mund të arrihet për afro 50 milionë euro.

Italiani ndodhet në një fazë të rëndësishme të karrierës dhe po shqyrton seriozisht një largim, pasi ka shprehur simpati të madhe për Barcelonën dhe qytetin.

Ai mendon se cikli i tij te Interi është drejt fundit, pasi ka fituar tashmë tre tituj kampionati dhe synon edhe një Coppa Italia. Ndikim në vendimin e tij ka pasur edhe situata pas kartonit të kuq në një ndeshje kyçe me Italinë, që ndikoi në mungesën e kualifikimit në Botëror.

Sipas Mundo Deportivos, Bastoni tashmë ka dhënë dritën jeshile për një marrëveshje personale me Barcelonën deri në vitin 2031.

Barcelona kishte nisur punën për transferimin e tij që në janar, por javët e fundit operacioni është ftohur. Në klubin katalanas pritet një takim mes trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv Deco për të marrë vendimin final.

Ky është një faktor kyç edhe për vetë lojtarin, i cili dëshiron të ketë garanci se është pjesë e planeve të trajnerit dhe jo vetëm një dëshirë e drejtuesve.

Bastoni do të vazhdojë të presë Barcelonën, por pa nxitim. Ai ëndërron të veshë fanellën blaugrana, por mbetet i qetë te Interi, duke theksuar se nuk do të largohet nëse nuk ka besim të plotë si nga drejtuesit, ashtu edhe nga trajneri i Barcelonës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale