‘Alarm’ tek Reali para ndeshjes me Cityn: Mbappe rrezikon ta humb ndeshjen, shtatë mungesa të konfirmuara

17:27 | 9 Dhjetor 2025
D.H

Real Madrid përballet me një situatë shumë të komplikuar para ndeshjes së madhe të së mërkurës kundër Manchester City-t në “Santiago Bernabéu”. Problemet fizike, mungesat dhe dilema e madhe mbi gjendjen e Kylian Mbappé kanë vendosur alarmin në klubin madrilen.

Sulmuesi francez nuk vuan vetëm nga gishti i thyer prej disa ditësh, por edhe nga shqetësime në këmbën e majtë, konkretisht në pjesën e pasme të kofshës.

“Është dyshim serioz dhe nëse luan, do të jetë shumë i kufizuar”, raporton Diario AS.

Vendimi për praninë e tij do të merret vetëm mëngjesin e ditës së mërkurë, pasi mjekët dhe vetë lojtari do të vlerësojnë nëse mund të rrezikojë apo jo.

Dëmtimi i dorës nuk është problem madhor, por shqetësimet në këmbë e mbajnë pezull. Nëse ekziston qoftë edhe një shans i vogël që të luajë pa rrezik të madh, Mbappé synon të jetë në fushë sidomos në një skenë të tillë.

Një tjetër probleme për trajnerin Xabi Alonso është reparti i mbrojtjes.

Militão, Carvajal, Trent Alexander-Arnold, Alaba, Mendy, Huijsen, Camavinga do të jenë jashtë për këtë sfidë.

Kjo do të thotë se Real Madrid mbetet me vetëm katër mbrojtës të shëndoshë në prag të sfidës me njërin prej sulmeve më të forta në botë, atë të Haaland dhe shokëve.

Nga ana tjetër, Valverde, Rüdiger dhe Bellingham janë në dispozicion, por edhe ata me ngarkesë fizike të konsiderueshme.

Lista e lojtarëve të grumbulluar do të publikohet vetëm të mërkurën, pasi gjithçka varet nga gjendja e Mbappé.

Kujtojmë se sipas raportimeve të fundit, për Alonson kjo do të jetë një ndeshje vendimtare pasi në rast të një rezultati negativ do të shkarkohet nga posti i trajnerit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale