Adrian Bajrami “tradhëton” Shqipërinë për Zvicrën, FSHF njofton për ndryshimen në listën e kombëtares për ndeshjet e shtatorit

18:39 | 1 Shtator 2025
D.H

Para ndeshjeve të shtatorit kundër Gjibraltarit dhe Letonisë, Shqipëria pëson një ndryshim të rëndësishëm: mbrojtësi Adrian Bajrami nuk do të jetë më pjesë e kuqezinjve, pasi ka vendosur të përfaqësojë Zvicrën në nivel ndërkombëtar.

Mbrojtësi Bajrami nuk u bashkua në tubim, duke ia kumtuar lajmin FSHF-së, se nuk do të luajë më për Shqipërinë.

Pas këtij vendimi, përzgjedhësi Sylvinho ka thirrur Maldini Kacurrin, mbrojtës i cili do të bashkohet me skuadrën në kampin stërvitor në Malaga gjatë të hënës.

Kacurri ka kaluar më parë në ekipet kombëtare të moshave U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, dhe tani ftohet për herë të parë në Kombëtaren A.

Përveç këtij ndryshimi, në vend të Ylber Ramadanit, i cili nuk do të jetë i gatshëm për shkak të dëmtimit, është thirrur Enis Çokaj, mesfushor i Levadiakosit në kampionatin grek, i cili ka luajtur më parë 5 ndeshje me Kombëtaren A.

Gjithashtu, Ernest Muçi nuk do të jetë pjesë e grumbullimit për shkak të dhimbjeve të mesit me shenja inflamacioni të diskut, ndërsa trajneri ka vendosur të thërrasë edhe sulmuesin Cristian Shpendi, i cili grumbullohet për herë të parë me ekipin A, pas aktivizimeve me ekipet e moshave U-19 dhe U-21.

Këto ndryshime tregojnë një përzierje të eksperiencës dhe rinisë në Kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e ardhshme.

 

Shpërndaje në rrjete sociale