Ademi për vizitën e Infantinos: Sot është një ditë e veçantë për futbollin dhe për vendin tonë

09:15 | 8 Tetor 2025
D.H

Presidenti i shtëpisë më të madhe të futbollit në botë, Gianni Infantino do ta vizitojë Kosovën.

Gjatë ditës së sotme ajo do të dekorohet edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, shkruan Arbresh.info.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka cilësua ditë të veçantë.

“Sot është një ditë e veçantë për futbollin dhe për vendin tonë. Kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim në Kosovë për herë të dytë mikun tonë të madh, liderin që i ka dhënë dimension të ri zhvillimit të futbollit global, Shkëlqesinë e Tij, Gianni Infantino”, shkruhet fillimisht në njoftim.

Sipas tij kjo vizitë nënkupton se FIFA i kushton vëmendje të madhe Kosovës.

“Vizita e Presidentit Infantino është dëshmi e qartë e mbështetjes që FIFA i kushton Kosovës dhe Federatës sonë. Kosova gëzon respekt dhe simpati të madhe tek Presidenti Infantino, edhe për faktin që në Kongresin e tij të parë si President, në vitin 2016, FFK u pranua si anëtarja më e re e FIFA-s, një moment ky historik për vendin tonë por i veçantë edhe për z. Infantino”, vazhdoi tutje.

“Vizita e tij e dytë dhe dekorimi nga Presidentja Vjosa Osmani nuk është vetëm një simbol nderimi, por edhe frymëzim për gjeneratat e reja. Kjo na kujton se përmes sportit mund të bashkojmë njerëz, të ndërtojmë ura miqësie dhe të promovojmë respektin dhe barazinë.”

Për fund ai ka shprehur mirënjohje për të parin e FIFA-s.

“Në emër të gjithë komunitetit të futbollit kosovar dhe qytetarëve tanë, i shpreh mirënjohjen më të sinqertë Presidentit Infantino për besimin dhe përkrahjen që i jep Kosovës.”

“Si President i FFK-së e siguroj se do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim, profesionalizëm dhe transparencë për zhvillimin e futbollit në çdo nivel, duke ndjekur parimet dhe vlerat që përfaqëson FIFA”, shkruhet ndër të tjera.

Kujtojmë se kjo është hera e dytë që Infantino viziton Kosovën, pas asaj të vitit 2022./Arbresh.info

Të ngjashme