Pas fitores historike në Prizren ndaj Anwilit në ndeshjen e parë të kualifikimeve për “FIBA Europe Cup”, ekipi i Bashkimit kërkon “lavdinë” në Poloni.
Prizrenasit do të luajnë të mërkurën- më 1 tetor, ndeshjen e kthimit në kuadër të kualifikimeve për këtë garë.
Para kësaj ndeshje të madhe për qytetin antik të Prizrenit, i cili tash e disa vite jeton për basketboll, për Arbresh.info, ka folur njëri prej protagonistëve kryesor të skuadrës, Valon Bunjaku.
Bunjaku, i cili është pjesë e skuadrës tash e dy vjet, ka folur për përgatitjet e klubit të tij para kësaj ndeshje të madhe. Ai ka treguar edhe për punën e madhe që ka bërë trajneri i ri, Igor Jovovic.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë që nga para-sezoni. Kemi punuar me intensitet të lartë dhe me fokus të madh në aspektin fizik dhe taktik. Trajneri i ri ka sjellë një qasje të freskët, disiplinë dhe një filozofi moderne loje dhe personalisht, jam shumë i kënaqur me mënyrën se si po menaxhon ekipin. Ka krijuar një ambient pozitiv dhe konkurrues, që po reflekton edhe në rezultatet tona”, tregon fillimisht ai.
Organizatori i lojës tek klubi “ Bashkimi” thekson gjasat e klubit prizrenas për kualifikim tutje, si dhe atmosferën e cila mbretëron në skuadër para sfidës së madhe.

“Fitorja në ndeshjen e parë ishte historike dhe shumë e rëndësishme për ne, por e dimë se asgjë nuk ka përfunduar ende. Anwil është një skuadër me përvojë, sidomos kur luan në shtëpi. Megjithatë, ne besojmë në aftësitë tona dhe do të shkojmë atje me qëllimin e qartë, për të luftuar për kualifikim. Gjasat janë reale dhe motivimi është maksimal”, thotë Bunjaku.
Sipas tij, fitorja e parë i ka dhënë besim dhe energji lojtarëve.
“Atmosfera në skuadër është shumë pozitive. Fitorja e parë na ka dhënë besim dhe energji shtesë. E dimë që koha për përgatitje është e shkurtër, por kemi qenë të përqendruar dhe kemi analizuar mirë kundërshtarin. Po punojmë çdo dite me fokus të plotë për të qenë gati për ndeshjen e kthimit”, shtoi 27-vjeçari.
Për dikë rezultati i ndeshjes së parë ishte befasues, andaj edhe kualifikimi tutje mund të jetë po ashtu, mirëpo, Bunjaku thotë se krejt rezultati është fal punës që ata e bëjnë çdo ditë.
“Fitorja në ndeshjen e parë na motivon jashtëzakonisht shumë. Kur mund një ish-kampion si Anwil, e kupton qe çdo gjë është e mundur me përkushtim dhe loje të disiplinuar. Nëse kalojmë tutje, padyshim që do të ishte një sukses i madh, jo vetëm për Bashkimin por edhe për basketbollin kosovar në përgjithësi. Mund të konsiderohet si një “befasi” për të tjerët, por për ne është rezultat i punës që po bëjmë çdo ditë”, u shpreh njëri nga lojtarët më të dalluar të Bashkimit.
Për të arritur një sukses historik, ata duhet të nxjerrin një rezultat pozitiv në Poloni, në njërën prej palestrave më të zjarrta në këtë vend. Padyshim se presioni do të jetë i madh aty, dhe për këtë është i vetëdijshëm edhe Bunjaku.
Mirëpo, ai thotë se presionin do ta kthejnë në motiv shtesë për të arritur qëllimin historik.

“Është e vërtetë që na pret një sfidë e vështirë dhe një atmosfere ndoshta edhe me e zjarrtë se ajo në Prizren, por jemi profesionistë dhe jemi përgatitur edhe në aspektin psikologjik. Presioni është pjesë e lojës, por ne e shohim si motivim shtesë. Jemi të fokusuar, me këmbë në tokë dhe gati për të dhënë maksimumin”, tha Bunjaku për Arbresh.info
Sikurse në ndeshjen miqësore të luajtura në para-sezon, ashtu edhe në ndeshjen e parë, Bashkimi armën më të fortë e ka pasur lojën kolektive, që sipas Bunjakut kjo pritet të jetë edhe çelësi i suksesit për takimin e nesërm.
“Mendoj se dallimin do ta bëjë qasja jonë mentale dhe mënyra se si e fillojmë ndeshjen. Arma jonë më e fortë është loja kolektive dhe energjia që sjellim si grup në parket. Sa i përket Anwil-it, janë një skuadër shumë cilësore, por në ndeshjen e parë e pamë se nëse vendosim presion dhe luajmë me ritëm të lartë, ata e kanë të vështirë të përshtaten. Ne duhet të shfrytëzojmë çdo dobësi që kemi vërejtur”, potencoi ai.
Klubi Bashkimi edicionin që lamë pas ishte finalist i Kupës së Kosovës, si dhe mbylli kampionatin në vendin e dytë, ku në të dyja finalet u mposht nga Trepça.
Valon Bunjaku dha edhe një opinion për skuadrën e këtij sezoni dhe asaj të vitit të kaluar.

“Mendoj se jemi me të kompletuar këtë sezon. Kemi një përzierje të mirë të lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj që sjellin energji. Kemi më shumë thellësi në skuadër dhe besoj se kjo na jep me shumë opsione dhe stabilitet gjatë ndeshjeve. Për më tepër, përvoja e vitit të kaluar na ka ndihmuar të rritemi si grup”, përfundoi basketbollisti i përfaqësues së Kosovës.
Ekipi “Bashkimi” e fitoi ndeshjen e parë me rezultat 80-75 në “Sezai Surroi” ndaj ish-kampionit të “FIBA Europe Cup”, të vitit 2023, shkruan Arbresh.info.
Me një triumf, apo edhe me një humbje deri në katër pikë “Arpagjik’t” do të arrinin suksesin më të madh në histori të klubit, duke u kualifikuar në grupet e një prej garave më të madhe evropiane në basketboll, në sezonin e tyre debutues në Evropë.
Ndeshja mes Anwil Wloclawek dhe Bashkimit luhet me 1 tetor nga ora 18:30./Arbresh.info/Drilon Halili/
Gjobë 500 euro, pikë negative e ndalim i drejtimit të automj...
Dron në shtëpinë e BBVK për Benitën
Publikohet orari i Kupës së Botës, nis më 11 qershor
Forcat izraelite vrasin 6 terroristë, arrestohen dhjetëra të...
OEK i reagon Rizvanollit, do të iniciohet procedurë ligjore...
Haradinaj nominohet për kryeministër: Aleanca në zgjedhje ni...