​Ish-ylli i Premierligës zgjedh mes Messit dhe Ronaldos

15:18 | 5 Shkurt 2019
A Z

Ish-mbrojtësi anësor i Arsenalit dhe Manchester Cityt, Ashley Cole, është bërë pjesë e debatit për lojtarin më të mirë në futboll, duke e vlerësuar Lionel Messin si lojtar më të vështirë për ta mbrojtur sesa Cristiano Ronaldon.

Ylli argjentinas, Messi, ka arritur t’i shënojë 29 gola dhe t’i bëjë 17 asiste në vetëm 27 paraqitje këtë sezon dhe përmes golit të shënuar në ndeshjen kundër Eibarit, ai u bë lojtari i parë në histori të La Ligës që arrin t’i shënojë 400 gola gjatë karrierës së tij.

Në anën tjetër, portugezi është duke e dëshmuar veten mjaft mirë me klubin e tij të ri, Juventusin. Këtë sezon, ai i ka shënuar 19 gola dhe i ka bërë tetë asiste në gjithsej 30 ndeshje të zhvilluara.

“Lojtari më i vështirë për ta mbrojtur? Duhet të jetë Messi. Njerëzit flasin për Ronaldon pasi që unë kam luajtur më shpesh kundër tij. Por, mendoj se ta mbrosh Messin, kur ai është në formë të mirë… ai ishte thjesht shumë i mirë për mua. Por, prapëseprapë, nuk arriti të shënojë kundër meje”, ka thënë Cole.

Ish-ylli i Manchester Unitedit, Ronaldo, në fakt e kishte emëruar Cole si mbrojtësin më të mirë kundër të cilit kishte luajtur përgjatë karrierës së tij si futbollist profesionist.

“Përgjatë viteve, kam pasur shumë përballje të mrekullueshme me Ashley Cole. Ai nuk ta lë as edhe një sekond për të marrë frymë. Ai ishte lojtar i mrekullueshëm në kulmin e tij, i shpejtë dhe i fuqishëm”, kishte thënë Ronaldo.

Cole, 38-vjeçar, është kthyer të luajë në Angli, pasi ka nënshkruar kontratë me Derby Countyn për të luajtur për këtë klub deri në fund të këtij sezoni.

 

Shpërndaje në rrjete sociale