Në seancën e së premtes fokusi te marrëveshjet ndërkombëtare

15:51 | 8 Prill 2026
E.K

Kuvendi i Kosovës do të mbajë këtë të premte seancë plenare, me fillim në orën 10:00. Kjo u bë e ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se ka tema tejet të rëndësishme, marrëveshje ndërkombëtare dhe projektligje të cilat duhet të shqyrtohen brenda ditëve të punës sa janë në mandatin si deputetë, pasi kanë mbetur më pak se tri javë deri në afatin e paraparë (28 prill) nga Gjykata Kushtetuese, që në rast të mos zgjedhjes së presidentit të ri, kuvendi do të shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Nagavci ka thënë se në mesin e pikave që do të shqyrtohet janë disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nuk u votuan në seancën e kaluar.

“Po ashtu, Komisionet parlamentare kanë shqyrtuar së paku edhe 9 projektligje, të gjitha me interes të veçantë për qytetarët, andaj e kemi të rëndësishme që edhe këto projektligje t’i votojmë në lexim të parë, në mënyrë që të jetë koha e mjaftueshme prej 15 ditëve për amendamente dhe shqyrtim të dytë para datës 28 prill. Besoj që tashmë të arrihet një pajtueshmëri dhe këto projektligje të jenë pjesë e diskutimit dhe trajtimit në seancën e së premtes”, tha ajo.

Sa i përket rezolutës së propozuar nga ana e PDK-së për mbrojtjen e së vërtetës dhe viktimave të luftës, Nagavci tha që si GP i LVV-së që në ditën e parë kur është dhënë ky propozim kanë qenë të gatshëm të kontribuojnë, në një tekst të rezolutës, që siç tha, në radhë të parë i bën nder kuvendit dhe paraqet një unitet të plotë të të gjitha partive politike shqiptare dhe komuniteteve joshumicë jo serbe.

“Ne kërkojmë që të kemi një rezolutë të dakorduar në mes të gjitha grupeve. Nuk e kemi asnjë problem me një rezolutë e cila do ta adresonte gjenocidin e kryer në Kosovë dhe do të krijonte të gjitha parakushtet për trajtimin më të drejtë të mundshëm në aspektin institucional të të gjitha masakrave. Besojmë që tashmë madje jemi vonë për të adresuar një çështje të tillë. Por nuk jemi të interesuar dhe as të gatshëm që tema që janë më interes shtetëror e kombëtar dhe që duhet të paraqisnin unitetin e të gjithë neve të trajtohen si tema parciale e individuale”, shtoi Nagavci.

Ajo tutje tha se sapo ta kenë draftin e dakorduar të kësaj rezolute do ta votojnë në seancë.

Ajo tutje tha se sapo ta kenë draftin e dakorduar të kësaj rezolute do ta votojnë në seancë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, tha se GP i AAK-së e mbështet kërkesën e PDK-së që rezoluta të jetë si pikë e parë e rendit të ditës, derisa njoftoi po ashtu se deputetja Duda Balje iu ka bashkuar grupit parlamentar të AAK-së.

“I gjithë debati në kryesi pak a shumë po e reflekton edhe këtë debatin që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Shpresoj që kjo të tejkalohet dhe të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare që janë në interes për vendin dhe qytetarët e Kosovës”, tha Tahiri.