Vrasja në Elbasan: Misteri i armës izraelite që u zhduk pas ngjarjes

00:59 | 24 Prill 2021

Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe të plagosur 4 persona, mes tyre një efektive policie.

Sipas burimeve nga ekspertiza të gazetarit të Ora News, Elton Qyno, rezulton nga gëzhojat e gjetura në vendngjarje se ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj ka qëlluar 7 herë nga një pistoletë tip “Glock 9” ndërsa nga një pistoletë izraelite (ende nuk është gjetur) është qëlluar 13 herë. Hetimet e deritanishme përjashtojnë nga autorësia Klement Xhaferrin, i cili është në kërkim.

Kush qëlloi? Nuk ka ende një përgjigje!

7 gëzhojat e qëlluara nga arma e Paplekajt janë gjetur në një vend, ndërsa 13 gëzhojat e tjera janë gjetur diku tjetër. Nga këto të fundit besohet se janë plagosur Emiljano Prenga dhe ish-polici Pavlo Vuksani. Në hetime është zbuluar dhe pronari i Benzit luksoz me targë AB 010, biznesmeni i karburanteve Ilir Beko, person, të cilit RENEA i sekuestroi në 2019 arsenalin e armëve luksoze në ambientet e karburantit të tij në Papër të Elbasanit.

Benzi përdorej nga djali i Ilirit, Eldjo Beko, i cili ditën e ngjarjes ia kishte dhënë makinën në përdorim Klement Xhaferrit. Gjatë marrjes në pyetje, Beko nuk ka pranuar të tregojë se kujt personi ia ka dhënë makinën, ndaj dhe policia e ka arrestuar për akuzën e “kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Risjellim në vëmendje se policia ka lançuar emrin e Klement Xhaferrit për autorësinë e plumbave kundrejt grupit të ish-policëve.

Por dëshmitarë në vendngjarje tregojnë se Xhaferri ka mbërritur në vendngjarje shumë shpejt, pasi e ka shtëpinë rreth 50 metra larg vendngjarjes. Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar se në ngjarje ka mbetur i plagosur Klement Xhaferri dhe Suel Çela. Emri i këtij të fundit nuk është përmendur nga policia. /ORA

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara