Vrasja e gjyqtarit Kalaja, Koçiu: Do rishikojmë masat e sigurisë në gjykata

21:22 | 9 Tetor 2025
E.G

Ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu reagoi pas seancës së Kuvendit në të cilën pas debateve të opozitës, u kalua në votim pa diskutime për rendin e ditës.

Ministrja theksoi se për shkak të ndërhyrjeve të vazhdueshme dhe klimës së tensionuar që u krijua nga opozita në seancën plenare, nuk mundi që të mbajë fjalën e plotë në Kuvend, të cilën e ndau me qytetarët përmes një postimi në rrjetet sociale.

Në fjalën e saj, Koçiu dënoi vrasjen e gjyqtarit të gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, i cili u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, teksa po kryente detyrën.

“Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit është pa dyshim një ngjarje shumë e rëndë, e cila nuk duhej të ndodhte!”, u shpreh Koçiu.

Koçiu nënvizoi “se autori do të përballet me forcën e plotë të ligjit!”.

“Kjo ngjarje duhet të na shtyjë të gjithëve ne, brenda e jashtë kësaj salle, të reflektojmë dhe të veprojmë më shpejt për të forcuar mbrojtjen e sistemit gjyqësor, në ato pika ku konstatohen dobësi”, tha Koçiu.

Ministrja nënvizoi se së bashku me Ministrinë e Drejtësisë dhe në koordinim me institucionet e drejtësisë, do të rishikojmë masat e sigurisë në gjykata, e jo vetëm.

Në përfundim, shtoi Koçiu “do të hartojmë një paketë të plotë duke përfshirë rishikimin e protokolleve të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe institucioneve të drejtësisë; Forcimin e sigurisë fizike brenda dhe përreth ambienteve të gjykatave; si dhe një sistem të integruar monitorimi inteligjent për të parandaluar e neutralizuar çdo akt dhune”.

Ministrja gjithashtu sqaroi opinioni publik se “në përputhje me detyrimet ligjore, Garda e Republikës ruan dhe mbron gjyqtarët e prokurorët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

“Gjithashtu, magjistratëve u sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pasurisë, kur gjatë ushtrimit të funksionit ose për shkak të tij, u rrezikohet jeta, shëndeti, familja ose prona”, tha Koçiu.

Ministrja u shpreh se janë të angazhuar që të rishikojnë kornizën e mbrojtjes vetjake të ofruar deri tani për t’a fuqizuar edhe më tej paprekshmërinë dhe sigurinë në detyrë të magjistratëve.

“Në këtë rrugë, do të ecim përpara me të njëjtën vendosmëri dhe bindje të palëkundur që na ka shoqëruar edhe në rrugën e vështirë dhe të gjatë të bërjes realitet të reformës më të thellë dhe më transformuese në historinë e shtetit shqiptar. Reforma në drejtësi është ajo reformë që i ka dhënë fund kohës së të paprekshmëve nga ligji. I ka dhënë fund dy standardeve në aksesin ndaj drejtësisë”, tha Koçiu.

Koçiu nënvizoi se në realizimin e reformës në drejtësi, kjo qeveri ka treguar një vullnet të hekurt dhe të panegociueshëm.

“Do të tregojmë përsëri të njëjtin vullnet, për përsosjen e mëtejshme të sistemit dhe rritjen e standarteve të sigurisë”, tha Koçiu.

Duke ju drejtuar opozitës, Koçiu theksoi se “distancohem plotësisht nga e gjithë tentativa e shëmtuar për të instrumentalizuar dhe politizuar vrasjen”.

“Jeta e çdo njeriu, aq më tepër e një shërbëtori të drejtësisë të rënë në krye të detyrës nuk mund të përdoret për kapital apo interesa të ngushta politike. Sot nuk është koha për të drejtuar gishtin apo për të kërkuar fajtorë politikë”, tha Koçiu./atsh