Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, e cila ndodhi sot rreth orës 15:00 brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë.
Në një deklaratë zyrtare, SPAK e cilëson këtë akt si “të paprecedentë” dhe dënon me ashpërsi dhunën e ushtruar ndaj sistemit të drejtësisë.
“I shprehim ngushëllimet tona familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Prokuroria e Posaçme.
SPAK shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me të gjithë gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, të cilët përballen çdo ditë me sfida të mëdha gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.
“Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e drejtësisë, si edhe për një reagim të shpejtë institucional, për të ndaluar përsëritjen e akteve të ngjashme,” theksohet në komunikatë.
/rtsh.al/
