Për mijëra e mijëra qytetarë, sportdashës, tifozë ose jo, në Tiranë e Elbasan, e mërkura dhe e enjtja do të jenë dy ditë jo të lehta. Në njërën anë do të jenë emocionet e një dueli sportiv të shumëpritur, që do të “trazojnë” shpirtrat kuqezi, ndërsa nuk do të mungojnë vështirësitë e shumta në qarkullim edhe për ata, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me topin, fushën e blertë dhe ethet e sportit më popullor në botë.
Rrugë të bllokuara, lëvizje e kufizuar, helikopterë në ajër e uniforma blu në tokë, do të jenë korniza e një momenti, sigurisht historik, por që duket se ka futur në ankth ekspertët dhe përgjegjësit e sigurisë. Serbët në Rinas, Tiranë e Elbasan, janë jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një angazhim madhor për forcat e sigurisë, raporton “Shekulli”.
Policia e Shtetit, në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, për arsye sigurie vendosë të “blindojë” qytetet e Tiranës dhe Elbasanit. Duke filluar nga dita e sotme, që përkon me ardhjen e Kombëtares serbe në vendin tonë, si dhe ditën e ndeshjes, policia thekson se, do të bllokohen disa segmente rrugore në kryeqytet dhe në rrugët lidhëse me Elbasanin, ku do të zhvillohet ndeshja.
Kështu, do të jenë në gatishmëri rreth 1500 forca policie, të ndihmuar edhe nga shërbimet inteligjente në vend, të cilët do të monitorojnë situatën hap pas hapi për të shmangur çdo incident të mundshëm. Drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ia ka besuar drejtimin e sigurisë para dhe pas ndeshjes Shqipëri- Serbi, numrit dy të policisë, Altin Qatos.
Bllokime drastike të qarkullimit rrugor parashikohet të bëhen nga aeroporti i Rinasit, deri në stadiumin e qytetit të Elbasanit. Në një prononcim për “Shekulli”-n, Altin Qato thekson se këto masa, në dukje ekstreme, bëhen me qëllim shmangien e çfarëdolloj incidenti që mund të jetë parashikuar që të ndodhë.
“Janë kërkesa normale, që ne i gjykojmë të zbatueshme. Disa nga kërkesat e bëra nga pala serbe janë akset e lira rrugore kur kalon ekipi i tyre për shkak të shmangies së ndonjë bllokimi apo ndonjë provokimi. Për këtë ne kemi bërë një plan të veçantë për akset rrugore. Do të kemi të vendosur efektivë të rendit në akse rrugore për të bllokuar segmentet, si dhe që të lehtësojnë trafikun dhe të shmangim incidentet ndaj ekipit serb”, pohoi Qato.
Akset rrugore që do të bllokohen në Tiranë
Duke filluar nga sot, prej orës 17:00 deri 20:00, segmenti rrugor i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, “Ura e Lanës”, sheshi “Skënderbej” do të qëndrojë i bllokuar. Bllokim segmenti përkohësisht do të ketë nga Rinasi, “Qafë Kashari”, në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe rrugët dytësore që lidhen me autostradën, duke vijuar te mbikalimi i Kamzës, rruga “Dritan Hoxha”, rruga “29 Nëntori”, rruga e “Durrësit”, rruga “Ismail Qemali” deri te rruga e “Elbasanit”. Po ashtu, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nuk do te lejohet kalimi i këmbësorëve pranë hotel “Sheraton” dhe “Universitetit të Arteve”, si dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia”. Bllokimi do të vazhdojë në të gjitha segmentet, të cilat lidhen me Hotel “Sheratonin”. Drejtuesit e mjeteve do të duhen të ndjekin rrugë të tjera alternative për të shkuar në qytetin e Elbasanit ditën e nesërme, ku do të zhvillohet edhe ndeshja më e shumëpritur për bashkëkombësit tanë, ajo me Serbinë.
Nesër, duke filluar nga ora 12:00- 19:00, do të bllokohet segmenti nga rruga “Dervish Hima”, rruga e “Elbasanit”, tuneli i Elbasanit, ku nuk do të lejohen kalimi i mjeteve deri në përfundim të aktivitetit sportiv në qytetin e Elbasanit. Pra për të ndjekur ndeshjen, një tifozi do t’i duhet të udhëtojë nëpërmjet qytetit të Durrësit për të mbërritur në “Elbasan Arena”. Për këto masa ekstreme, Drejtoria e Policisë së Tiranës kërkoi mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe gjithë përdoruesve të rrugës që të shmangin kalimin në segmentet e përcaktuara, si dhe të përdorin aksin rrugor nga autostrada për te mbërritur në destinacion. Forcat më të shumta të policisë së shtetit do të jenë të dislokuara në qytetin e Elbasanit, ku do të zhvillohet ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë. Sipas Altin Qatos, në Elbasan janë bërë eksperimente nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë me rastin e ndeshjes ndaj Portugalisë, ku janë testuar disa taktika të reja për të monitoruar personat e rrezikshëm në distancë, të cilët mund të jenë potencial për të prishur mbarëvajtjen e ndeshjes.
Rrugët që bllokohen në Elbasan
Policia e Elbasanit ka deklaruar se nesër në orën 08:00, do të bllokohen disa segmente rrugore, si dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në këto akse në qytet, konkretisht: Bulevardi “Qemal Stafa” që fillon nga Posta deri në dalje të unazës për në Librazhd; Bulevardi “Aqif Pasha”, që fillon nga “1 Maji” deri tek ish-Konservimi i Vjetër dhe përfundon te “Harullajt”. Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga rrethrrotullimi i “Luleve” deri tek rrethrrotullimi i “Zaranikës”; nuk do të lejohet parkimi i automjeteve përreth dhe përballë stadiumit “Elbasan Arena”.
Monitorim nga toka dhe ajri
Masat e Policisë së Shtetit do të jenë të forta, ndërsa gjithë Elbasani do të monitorohet nga toka dhe ajri për të garantuar sigurinë në çdo segment. Duke filluar nga sot e gjithë Policia e Shtetit, do të kalojë në gatishmëri të përforcuar, deri në përfundim të aktivitetit futbollistik. Masa shumëplanëshe janë bërë për të garantuar rendin e sigurinë në çdo segment rrugor, si dhe në hotelin ku do akomodohet skuadra dhe stafi shoqërues i skuadrës serbe. Masat fillojnë në pikat e kalimit kufitar, brenda stadiumit e jashtë tij, nga toka e ajri, ndërsa dy helikopterë të policisë do të jenë në patrullim të hapësirës ajrore pranë stadiumit “Elbasan Arena”. Personi përgjegjës për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes është numri dy i policisë së shtetit Altin Qato, i cili do raportojë hap pas hapi tek Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Flick pas triumfit në Superkupën e Spanjës: Ne e merituam fi...
Osmani: Kam marrëdhëniet të shkëlqyeshme njerëzore me Kurtin
Vodhën para në një objekt fetar, arrestohen dy persona në Mi...
SHBA kryen sulme të reja hakmarrëse kundër IS në Siri
Ndëshkohen tetë shoferë në Ferizaj për manovra të rrezikshme...
Alonso zbulon arsyejen pse i largoi Valverden dhe Vinin nga ...