Vettingu për Ferdinand Elezin, prokurorit i kërkohen sqarime për dy apartamente

18:10 | 29 Mars 2019

Prokurori i Apelit të Durrësi Ferdinand Elezi ka dalë para KPK-së për tiu nënshtruar vettingut. Për këtë prokuror komisioni nuk ka konstatuar probleme me figurën dhe anën profesionale, ndërsa nga ana e komisionit u kërkuan sqarime në lidhje me dy apartamente te blera nën vlerën e tregut.

Kreu i Prokurorisë së Apelit në Durrës Ferdinand Elezi ka dalë këtë të premte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Hetimi për Elezin ishte kryer në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësitë profesionale.

KPK, kishte kryer një hetim të thelluar për pasuritë e prokurorit konkretisht një apartament 124 metra katrorë në Tiranë, blerë në vitin 2000, për 40 mijë dollarë. Njësi zyrë në Durrës, blerë në 2005 për 60 mijë euro.

Apartament 185 metra katrorë në Durrës, blerë në 2005 për 30 mijë euro. Apartament në Durrës, blerë në 2004 për 4 milionë lekë. Në lidhje me apartamentin në Tiranë, rezulton se, një pjesë e shumës është paguar nga një kredi e butë, dhënë nga shteti. Gjithashtu sipas KPK-së është konstatuar se, në vitin 2003, ky apartament është deklaruar në vlerën 5 milionë lekë. Në lidhje me kontrollin e figurës, DSIK, kishte dorëzuar një raport me konstatimin se subjekti është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Sipas raportit, subjekti ka formuar saktë formularin dhe nuk janë gjetur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

KPK, ka kryer një hetim tjetër të thelluar për aftësitë profesionale. Janë paraqitur dy denoncime. A.E., pretendon se Elezi ka shpërdoruar detyrën. Por nga përmbajtja e kallëzimit, nuk janë konstatuar probleme. Edhe në denoncimin e dytë nuk janë gjetur indicie për mungesë të aftësive profesionale. Vendimi për kreun e prokurorisë së Apelit Durrës pritet të jepet në 8 prill./OraNews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara