Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vdekjes së ish-zv/kryeministri dhe ish ministri i brendshëm, Bashkim Kopliku, i cili ishte i prekur me COVID-19.
Ai thotë se nuk janë takuar asnjëherë, por ishin bërë miq përmes whatsapit, ku ai i komentonte shpesh opinionin e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike.
Sipas Ramës, ai ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me PD-në, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë.
Postimi i Edi Ramës:
HOMAZH. BASHKIM KOPLIKU u nda nga jeta pasi humbi betejën me virusin vrastar. Nuk u takuam dot asnjëherë, por ishim bërë miq përmes whatsapit, ku ai më shkruante shpesh, me pak fjali, opinionin e vet kritik për punë të caktuara të qeverisë apo sugjerimin e tij në momente të nxehta politike. Bashkimi ishte një liberal i djathtë, antikomunist i paepur por po aq antifashist dhe ndarja e tij me Partinë Demokratike, për të cilën kontribuoi fuqishëm në vitet e rrëmujshme pas krijimit të saj, ishte përveçse një refuzim thuajse përbuzës ndaj gjithçkaje mishëronte lideri i saj historik, edhe një mospajtim themelor me mungesën totale të identitetit të PD si parti e djathtë.
Nuk kam guxuar kurrë ta pyes për kë votonte, por di që distanca e tij ideologjike me PS ishte e pakapërcyeshme, ndërkohë që edhe për këtë arsye respekti krejt pa asnjë lloj interesi që më jepte në komunikimet tona, nuk e fsheh se ma përkëdhelte sedrën. Ai ishte një nga ata njerëz të rrallë sot, me virtytin e koherencës mes si fliste e si jetonte, burrë i ndershëm, fisnik nga ata kokëfortët deri në fund në të tijën, çka vihej re pa vështirësi edhe në ato që shkruante a thoshte kur e ftonin në ekrane – vite drite larg prej pazarxhiut tipik të kohëve që jetojmë, kategori e ulët e parimorëve mediatike, të cilët në mexhelis predikojnë virgjërinë teksa larg syve të publikut kurvërojnë me para, në këmbim të predikimeve të radhës. Do të më mungojnë mesazhet e Bashkimit, mikut që s’e takova kurrë, por e desha mu si një personazh libri, me të cilin mbetesh përgjithmonë në një lidhje të pakonfirmuar. U prehsh më në fund në paqe miku im./TCH/
Mblidhet KQZ-ja, pritet certifikimi i kandidatëve dhe listës...
Capello për penalltinë e Liverpoolit: Ishte skandaloze, simu...
Moti në Shqipëri me diell në pjesën më të madhe të vendit, v...
Banorët zbulojnë të pathënat për Toneyn dhe Benitën
Demokratët fitojnë zgjedhjet lokale në Miami pas 28 vitesh
Merr flakë një ndërtesë në Kodrën e Diellit në Prishtinë