Ulja e akcizës me 20% për naftën, Rama: Do mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës

13:38 | 5 Prill 2026
E.H

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot hyrjen në fuqi të aktit normativ për uljen e akcizës së naftës. Sipas vendimit, akciza do të ulet me 20% sapo çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

Në podkastin e tij ‘Flasim’, Rama theksoi se masa synon të mbrojë qytetarët nga ndikimet e paqëndrueshme të tregjeve ndërkombëtare, pa rrezikuar stabilitetin e financave publike. Vendimi do të monitorohet nga Bordi i Transparencës, duke garantuar kontroll dhe zbatim të drejtë të masës.

“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike.

Shpërndaje në rrjete sociale