Në 35-vjetorin e eksodit shqiptar, qyteti i Durrësit u bë skena e një homazhi artistik kushtuar mijëra shqiptarëve që u larguan në kërkim të lirisë dhe një jete më të mirë.
Përmes poezisë, teatrit dhe dokumentimit historik, performanca teatrore dhe instalative “Hartë Memece për të Mbyturit” riktheu në kujtesë dramën e atyre që humbën jetën në det, duke sjellë një reflektim mbi një nga plagët më të mëdha të historisë sonë moderne.
Shkrimtari dhe poeti Arian Leka prezantoi veprën në shëtitoren “Taulantia”, në qytetin e tij të lindjes, duke e kthyer hapësirën publike në një vend kujtese dhe dialogu mbi eksodin shqiptar.
“Sot jemi përballë emigrimeve të tjera. Nuk është më emigrimi që niseshin në mënyrë klandestine. Sot duhet t’i japim përgjigje të tjerave pyetje. Pse vazhdojmë të ikim kur liria për të ndenjur dhe për të pasur një të ardhme këtu ekziston, por duhet të punojmë fort për të bërë një vend normal”, tha autori Arian Leka.
Me regji të Driada Dervishit, performanca u konceptua si një homazh për viktimat e eksodit, por edhe si një ftesë për të reflektuar mbi arsyet që edhe sot vazhdojnë t’i shtyjnë shumë shqiptarë të largohen nga vendi.
“Ky fenomen vijon të vazhdojë me ritme të forta, ndoshta jo me ato tragjedi aq të mëdha të fillimeve të eksodit shqiptar, por sigurisht dhimbja e ndarjes vazhdon të jetë aty“, u shpreh regjisorja Driada Dervishi.
E përkthyer në 12 gjuhë dhe e interpretuar më parë në skena teatrore të Berlinit, Këlnit, Helsinkit dhe Vjenës, “Hartë Memece për të Mbyturit” u rikthye në Durrës duke bashkuar aktorë profesionistë, poetë, gazetarë dhe qytetarë në një rrëfim kolektiv, ku arti u shndërrua në një mjet për të mbajtur gjallë kujtesën./rtsh
Kurti priti në takim Selën, flasin për rrugën Prizren – Teto...
Kosovarët dynden drejt bregdetit shqiptar, fluks i shtuar au...
“Vepra arti, ikona dizajni dhe asgjë më shumë”, ...
Pesë persona arrestohen pas sekuestrimit të armëve në rajoni...
“Nëna Salë dhe gjyshi Hamit të krijuar në copa letre”, i riu...
Pas Uellsit edhe Federata e Futbollit gati për t’i hequr mbë...