Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shpërndarë një mesazh të ngrohtë urimi për qytetarët shqiptarë për Vitin e Ri 2026, duke theksuar arritjet e mëdha të vitit 2025 dhe duke shprehur optimizëm për të ardhmen. Në një mesazh drejtuar të gjithë shqiptarëve, qoftë brenda dhe jashtë Shqipërisë, Spiropali theksoi se ky vit do të jetë një vazhdimësi e përpjekjeve për të realizuar aspiratat evropiane të vendit.
Spiropali vlerësoi hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si një moment historik për vendin. Ajo theksoi se, megjithatë, pjesa më e vështirë ka ardhur tani, pasi shpejtësia e hapjes së kapitujve duhet të shoqërohet me një ritëm të ngjashëm të reformave dhe përmbushjes së kushteve evropiane.
“Të dashur bashkë qytetarë, mbyllim një vit që soli për Shqipërinë sfida, por edhe lajme shumë të mira. Më i miri nga cilët, padiskutim është hapja me sukses e gjithë grupëkapitujve në vetëm 13 muaj. Shqipëria është sot vendi kandidatë që ecën më shpejtë dhe më vendosmërisht drejt familjes tonë natyrale evropiane.
Dhe vrapi unë drejt Evropës nuk matet më me “nëse”, por me “kur”. Megjithatë, më e vështira vjen tani kur shpejtësia e hapjes së kapitujve të shoqërohet me shpejtësinë e reformave shtetndërtuese dhe përmbushjen e të gjitha kushteve. Pra, në vitin 2026, do të vijojmë të punojmë me vizion dhe vendosmëri në këtë proces, duke forcuar bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë partnerët tanë evropianë”, thuhet në videomesazhin e Spiropalit.
Një tjetër moment i rëndësishëm, sipas ministres, ka qenë realizimi i votës për diasporën, si dhe miratimi i Ligjit të Ri për Diasporën, i cili mbron dhe promovon të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Viti që po lëmë pas do të mbahet mend si viti kur u bë realitet vota e diasporës, por e drejta e shqiptarëve nuk fillon dhe nuk përfundon te kutia. Me Ligjin e Ri për Diasporën kemi tashmë një mekanizëm që mbron dhe promovon të drejtat tona, nën një ombrellë që koordinohet nga Tirana deri në Kaliforni dhe Australi.
Vizitat diplomatike në Itali, Greqi, Maqedoninë e Veriut, Holandë, Kroaci, Danimarkë, Izrael, Irlandë të Veriut, NATO, OKB dhe vende të tjera, si dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që pritëm në Tiranë kanë dëshmuar se politika jonë e jashtme është sot më aktive, më e besueshme dhe më e respektuar se kurrë më parë. Në këtë stad të ri zhvillimi ku gjendemi, viti i ri na gjen në një nivel të paprecedentë përgjegjësie, por edhe nivelin më të lartë të ambicieve”, tha ajo.
Ministrja Spiropali theksoi se viti 2026 nis me optimizëm, me rritje ekonomike, investime rekord dhe paga më të larta. Ajo tha se Shqipëria është gati të përmbushë të gjitha detyrimet që kërkohen për të plotësuar standardet evropiane dhe se diplomacia shqiptare do të vazhdojë të mbështesë këtë rrugë të rëndësishme për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.
“2026 nisi me pensione dhe paga më të larta, investime rekord dhe rritje ekonomike në një trend përshpejtues. Dhe duhet të përfundojmë me zbatimin e plotë të reformave shtetndërtuese. plotësimin e kapitujve, njësimin e standardeve evropiane dhe mbi të gjitha respektin dhe dinjitetin për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë. Diplomacia jonë do të mbështesë këtë realitet të ri. Zëri ynë do të jetë gjithmonë pro Evropës, pro zhvillimit dhe pro stabilitetit të dëgjohet për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë. Në përfundim të vitit 2025, shpreh urimet më të mira për gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Një urim të veçantë për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, Greqisë, Italisë dhe kudo që ndodhen në diasporë. Kudo që keni ndërtuar jetën dhe suksesin, pa harruar asnjë moment rrënjët e veta. Ju jeni ambasadorët më të mirë të vlerave kuqezi”, tha Spiropali.
Në fund, Spiropali uroi qytetarët shqiptarë, si dhe shqiptarët e diasporës, për një vit të ri të mbushur me shëndet, mbarësi dhe mundësi të reja, duke theksuar rëndësinë e fëmijëve, të rinjve dhe punonjësve të administratës për të ardhmen e Shqipërisë.
“Uroj më të mirën për fëmijët tanë, që të rriten të shëndetshëm dhe me kujdesin që meritojnë. Uroj më të mirën për studentët dhe të rinjtë, që do të marrin gjithmonë stafetën e drejtimit të Shqipërisë.
Për prindërit dhe të gjithë ata që me djersën dhe punën e tyre kontribuojnë për një të ardhme më të mirë për familjet e tyre dhe vendin tonë. Për punonjësit e administratës publike, që përkushtimi, shërbimi dhe pasioni i tyre janë aset i Shqipërisë Evropiane.
Si dhe për të gjithë gjyshërit dhe gjyshet, që kanë kaluar shumë sfida e vështirësi në jetën e tyre, uroj që të shohin ditë të mira dhe të bardha. Të gjithë ju uroj shëndet dhe mbarësi në familjet tuaja”, tha ajo.
Osmani viziton fëmijët në Klinikën e Pediatrisë në prag të V...
27 komuna përmbyllin numërimin e votave, më 1 janar vazhdon ...
Presidentja Osmani viziton FSK-në për fundvit
Duka uron Vitin e Ri 2026: Mirënjohje për të gjithë ata që k...
Begaj uron Vitin e Ri 2026: Shqipëria dëshmoi vullnet për të...
Gjykata Supreme refuzon ankesën e Vetëvendosjes ndaj vendimi...