Spiropali në pritjen e fundvitit: Diaspora shqiptare, pjesë integrale e vizionit evropian të Shqipërisë

18:11 | 30 Dhjetor 2025
E.G

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot pritjen e fundvitit me gazetarë, diplomatë dhe ekipin drejtues të MEPJ-së.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se “e gjithë energjia jonë, dhe të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda dekadës”.

Spiropali shtoi se “rruga jonë evropiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Evropë”.

Sipas ministres, anëtarësimi në BE, mbetet vokacioni kombëtar i popullit shqiptar dhe mbi të gjitha, një proces i thellë transformues.

Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, ministrja e Jashtme theksoi se 2025-a ishte një vit jashtëzakonisht i mbarë për Shqipërinë dhe diplomacinë shqiptare.

“33 kapituj të hapur në 13 muaj. Askush nuk ka ditur të ecë kaq shpejt më parë. Prandaj, në 2026-n, mbështesim njehsimin e mëtejshëm të shpejtësisë së negociatave, në shpejtësinë e avancimit të reformave dhe mbylljes së grupkapitujve”, tha Spiropali.

Në vitin që po lëmë pas, shtoi Ministrja, avancuam rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në vendet tona partnere dhe më gjerë, në botë.

“Prandaj, ligji i ri i diasporës fuqizon bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore dhe diasporës. Për herë të parë, kemi një mekanizëm të qartë koordinues, që nga Tirana, bashkërendon si një trup i vetëm me diasporën tonë nga Kalifornia deri në Sidnej. Kemi krijuar mekanizma të rinj mbrojtje të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë”, deklaroi Spiropali.

Spiropali ndau bindjen se ligji i ri “Për shërbimin e jashtëm”, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve financiare, por edhe statusit të diplomatit, do ta vendosë diplomacinë shqiptare në kushtet e duhura për të udhëhequr pikërisht këtë angazhim historik në rrugën drejt BE-së.

“Në 2026-ën, duhet të bëjmë të mundur, që grimcat e së ardhmes sonë evropiane, të mos jenë më reflektimi, por gjithmonë e më shumë, përditshmëria jonë, normaliteti ynë i ri”, përfundoi Spiropali.