Shtyhet seanca për Ilir Metën, shkak mungesa e avokatit të Kryemadhit

11:50 | 28 Tetor 2025
E.K

Seanca paraprake për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta është shtyrë këtë të martë për shkak të mungesës së avokatit të ish-deputetes., Monika Kryemadhit. Seanca është shtyrë për më datë 11 nëntor.

Seanca nisi në orën 09:00 dhe gjyqtarja Irena Gjoka pritej të vendoste nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.

Avokati Kujtim Cakrani ka folur për mediat ku u shpreh se do të vazhdojnë betejën me gjyqtaren për ta larguar nga kjo çështje. Ai theksoi se gjyqtarja ka vazhduar afatet e pezullimit të paraburgimit për Metën.

“Sot ne kemi pasur një tension me gjyqtaren dhe jo me prokurorët. Prokurorët janë në të drejtën e tyre edhe pse kanë shkelur ligjin. Ne do të vazhdojmë betejën me gjyqtaren, ajo ka marrë një vendim të rrezikshëm tjetër, duke vazhduar pezullimin e afateve të paraburgimit për zotin Meta edhe pse unë isha prezent. Sot ka vazhduar me pezullimin e afateve, zonja Gjoka nuk është gjyqtare e aftë edhe juridikisht por e ka për politikisht edhe natyrisht e shantazhueshme juridikisht nga ana e SPAK për faktet se ajo është në hetim. Ne do vazhdojmë betejën për largimin urgjent të gjyqtares”, tha Cakrani.

Kryemadhi në deklaratën e saj për mediat tha se vazhdon hetimi edhe pse dosja është mbyllur. Sipas saj qëllimi është për të mbajtur Ilir Metën në burg.

“Ata që ndodh në sistemin tonë të drejtësisë siç na tha avokati vazhdon hetimi, pra nëse dosja do të duhet të ishte mbyllur prokurori vazhdon heton, hetimi për Metën, Kryemadhin nuk ka mbaruar por vazhdon. Ne jemi në hetim në paraprak. Qëllimi është për të mbajtur Metën në burg. Ata që duan ta bëjnë jashtë ushtarë të Yuri Kim”, u shpreh ajo.

Ish-presidenti Meta është i arrestuar që prej tetorit të vitit të kaluar dhe është akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet ndaj tij u mbyllën nga SPAK më 28 korrik, ndërsa dosja u kalua për gjykim në fund të gushtit.

Ndërkohë GJKKO ka rrëzuar kërkesat e Metës për ndryshimin të masës së sigurisë ndërsa më 16 tetor, edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-presidentit për të njëjtën kërkesë./euronews.al