Shqiptarët braktisin vaksinimin kundër Covid-19

16:05 | 2 Dhjetor 2022

Shqiptarët nuk po vaksinohen kundër koronavirusit. E konfirmojnë shifrat zyrtare. Në raport me një vit më parë, dozat e injektuara te qytetarët janë reduktuar me mbi 70 për qind.

Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se në harkun janar-nëntor janë kryer pak më shumë se 600 mijë vaksinime, nga mbi 2 milionë në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë.

Rënia e interesit si pasojë e zbutjes së pandemisë ka bërë që vaksinimi të mbesë në vendnumëro. Me të dhëna të përditësuara për muajin e shkuar, rezulton të jenë vaksinuar me doza të para 47.4 për qind e popullsisë, me të dyta pak më shumë se 45 për qind dhe me të treta vetëm 13.5 për qind.

Refuzimi për t’u vaksinuar nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Edhe në vendet e Rajonit e madje Bashkimit Evropian, situata paraqitet e ngjashme.

Në rajon, Shqipëria ka bilanc më të mirë të vaksinimit me dy doza se Bonjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, ndërsa në raport me mesataren e Bashkimit Evropian shifrat janë mbi 40 për qind më të ulëta.

Ashtu si në nisje të procesit, të moshuarit rezultojnë më të ndërgjegjësuarit për t’u vaksinuarit, me të rinjtë që duket se e kanë harruar pandeminë.

Referuar shifrave, te grupmosha 18 deri në 24 vjeç, mbulesa e vaksinës me dy doza është vetëm 35.5 për qind. Gati 2-fish më të larta paraqiten shifrat tek të moshuarit nga 60 deri në 79 vjeç.

Zbutja e pandemisë me infektimet dhe vdekjet në nivelet më të ulëta që nga nisja e pandemisë, heqja e kufizimeve nga shtetet në pikat kufitare, por edhe skepticizmi mbi efektet në shëndet kanë bërë që procesi i vaksinimit në vend të mbesë në vendnumëro, raporton A2 CNN.

Shpërndaje në rrjete sociale