Shqipëria po përgatitet për rrezikun, se trazirat e fqinjit të saj jugor, Greqisë, do të detyrojnë qindra-mijëra punëtorë shqiptarë emigrantë të kthehen në shtëpitë e tyre, duke ndërprerë dërgimin e të ardhurave për familjet, të cilat jetojnë në kushte mjaft të vështira.
Ministrat e qeverisë në Tiranë shprehin besimin se sistemi financiar në Shqipëri mund t’i shpëtojë stuhisë, edhe pse tri banka në Shqipëri janë me pronësi greke dhe kontrollojnë pothuajse 16 për qind të gjithë aseteve në sektorin bankar shqiptar.
Por, shqetësimi për kthimin e mundshëm të emigrantëve tregon se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, e jo partnerët e Greqisë në eurozonë, mund të jenë të parat që do të përjetojnë efektet ekonomike dhe sociale të njëpasnjëshme të krizës në Athinë.
Rreth 12 për qind e 3.2 milionë njerëzve në Shqipëri jetojnë nën kufirin e varfërisë prej 2 dollarësh në ditë, përcaktuar nga Banka Botërore. “Punëtorët shqiptarë emigrantë kanë shkuar në Greqi që në fillim të viteve ‘90,” u shpreh Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm, gjatë një vizite me një grup gazetarësh të BE-së në Tiranë, të mërkurën. “Kontributi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në Greqi dhe në Itali, ka qenë mjaft i rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë shqiptare.
Nëse flasim në terma ekonomikë, ne i kemi ndjerë efektet e krizës greke”. Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit kanë rënë nga 952 milionë euro në vitin 2007 në 544 milionë euro vitin e kaluar, por edhe kjo shifër më e ulët përfaqëson rreth 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
Rreth 180 mijë emigrantë shqiptarë janë kthyer në shtëpi gjatë pesë viteve të fundit, si pasojë e intensifikimit të krizës së Greqisë, por disa qindramijëra të tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve mendohet të jenë atje në mënyrë të paligjshme, llogaritet të jenë ende atje kryesisht në zonën e Athinës dhe qytetin verior të Selanikut. Rreziku tani është se një numër i madh emigrantësh, në qoftë se humbasin punën dhe kursimet e tyre në Greqi, do të kthehen në Shqipëri.
Kjo do të ndikonte në rritjen e papunësisë, që aktualisht shënon 14 për qind të fuqisë punëtore, në një afat të shkurtër, tendosjen e sistemit të sigurimeve shoqërore dhe njëkohësisht do të paraqiste një sfidë të re: integrimin e fëmijëve të emigrantëve të arsimuar në gjuhën greke, në shkollat dhe shoqërinë shqiptare.
Këto probleme janë cilësuar potencialisht më serioze për Shqipërinë se çdo rrezik tjetër i “infektimit” financiar nga Greqia, transmeton Financial Times. Zyrtarët shqiptarë të bankës qendrore thonë se tri bankat greke në Shqipëri kanë raporte të mjaftueshmërisë së kapitalit prej më shumë se 17 për qind, mbi minimumin prej 14 për qind të caktuar për ta.
Megjithatë, sipas Bushatit, kriza greke mund të ketë fatkeqësisht pasoja negative që do të pengonin përpjekjet e fundit shqiptaro-greke për të lehtësuar tensionet e tyre në një marrëdhënie të mbajtur peng nga mosmarrëveshjet territoriale, të pakicave etnike dhe çështje të tjera, disa prej të cilave e kanë fillesën në luftën e dytë botërore. “Në kohë krize të thellë ekonomike dhe financiare, këto probleme janë shumë më të vështira për t’u trajtuar.
Retorika nacionaliste hyn në lojë, dhe kjo nuk i shërben krijimit të një mjedisi të favorshëm për të trajtuar çështjet dypalëshe. Nikos Kotzias, ministri i jashtëm i Greqisë, pritet të vizitojë Tiranën më 15 korrik, por mbetet për t’u parë nëse ai do të mbërrijë me ide të reja për tejkalimin e një mosmarrëveshjeje lidhur me përvijimin e shelfit kontinental midis dy vendeve në Detin Jon.
Juventus synon sërish transferimit e Tonalit, në blerje përf...
Ambasadori i Kosovës në SHBA merr pjesë në pritjen e Sekreta...
Kurti merr vendim: Nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët
Rreth 500 mijë hyrje në Kosovë gjatë festave, rritje 8% e ud...
Jasir Asani realizon gol në AFC Champions League 2
“Ungjilli u shpall nga Jerusalemi në Iliri”, Osmani për Kris...