Shqipëria dhe Italia nisin bashkëpunimin për shërbimin neonatal

10:51 | 11 Dhjetor 2025
E.G

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me qeverinë italiane, nisën zbatimin e projektit “Përmirësimi i shëndetit të nënës dhe të porsalindurit në Shqipëri – MATHERNA”, një nismë strategjike që synon transformimin e shërbimeve neonatale dhe të kujdesit për nënat në Shqipëri.

Projekti vjen pak javë pas marrëveshjes së nënshkruar në Romë, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Falë një financimi prej 6 milionë eurosh nga qeveria italiane dhe mbështetjes tekniko–shkencore të ASST Fatebenefratelli Sacco, MATHERNA përfaqëson një model të ri partneriteti ndërinstitucional të orientuar drejt ofrimit të shërbimeve cilësore në struktura spitalore moderne, të sigurta dhe të pajisura sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjatë fjalës në takimin prezantues, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi rëndësinë thelbësore të investimeve në periudhën neonatale (0-28 ditë), një fazë vendimtare për zhvillimin dhe shëndetin gjatë gjithë jetës.

“Përmes bashkëpunimit me qeverinë italiane nuk po hapim thjesht një fazë të re pune, por po përcaktojmë një standard të ri në kujdesin neonatal dhe atë maternal në Shqipëri. Ky investim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e familjeve të reja dhe do të na afrojë më shumë me standardet e Bashkimit Evropian”, u shpreh Sala.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, theksoi se “shëndeti dhe Shërbimet Shëndetësore janë përparësi të bashkëpunimit dypalësh, siç parashikohet në Marrëveshjen G2G”.

“ASST Fatebenefratelli Sacco është një institucion zbatues i shkëlqyer së bashku me Rajonin Lombardia sjellim në Shqipëri jo vetëm burime, por edhe kompetenca të avancuara klinike, dije organizative dhe praktika shëndetësore të përafruara me ato evropiane”, theksoi Alberti.

Drejtoresha e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) në Tiranë, Letizia Fischioni, theksoi se “bashkëpunimi italian prej vitesh qëndron krah Shqipërisë me ndërhyrje që integrojnë forcimin e infrastrukturave, zhvillimin e aftësive profesionale dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Sektori i shëndetësisë mbetet një shtyllë e angazhimit tonë tridhjetëvjeçar në vend, përmes nismave që synojnë të përmirësojnë ofertën shëndetësore.

Gjithashtu, drejtoresha e përgjithshme e ASSTFatebenefratelli Sacco, Maria Grazia Colombo, nënvizoi se “është një nder për ASST Fatebenefratelli Sacco (Spitali Buzzi dhe M. Melloni i Milanos) që është përzgjedhur nga Assessorato al Welfare i Rajonit Lombardia si institucioni udhëheqës i projektit të Shëndetit Materno-Fëmijor në Shqipëri”.

Projekti do të zbatohet në dy spitale universitare dhe tre spitale rajonale dhe parashikon modernizimin e terapive intensive neonatale, futjen e teknologjive të avancuara, standardizimin e protokolleve klinike si dhe forcimin e rrjetit referues kombëtar.

MATHERNA është plotësisht në përputhje me prioritetet e Strategjisë Kombëtare të Shëndetit dhe me objektivat e reformave të qeverisë shqiptare, të cilat synojnë uljen e mortalitetit neonatal dhe atij maternal në nivelet e vendeve të Bashkimit Europian./rtsh.al