Shqipëri, rritet eksporti i mollëve në mbi 20 mijë tonë

09:35 | 28 Shtator 2022
Vjollca Gajraku

Shqipëria është një ndër konsumueset më të mëdha të mollëve në Europë, por nuk mbetet pas edhe në rritjen e prodhimit dhe eksporteve të këtij fruti.

Referuar statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, konsumi i mollëve në Shqipëri është rritur në shifrat e 26- kg/frymë, kundrejt nivelit 19 kg/frymë që regjistron konsumi i mollës në Bashkimin Europian.

Molla është një nga drurët frutorë më të rëndësishëm në vendin tonë si në volum, ashtu dhe në vlerë.

Sipas statistikave këtë vit në Shqipëri prodhimi i mollës u rrit në 125.927 tonë, kundrejt 105.933 tonëve që shënonte prodhimi i përgjithshëm i kësaj kulture vitin e kaluar.

Kërkesa për kultivimin e mollëve dhe mbështetja me skema subvencionuese ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas, çka ka ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit të eksport/importit të mollëve.

Vlen të theksohet fakti se krahasuar me një vit më parë u eksportuan mbi 20 mijë tonë mollë, kundrejt 13.765 tonë eksporte në vitin 2021. Ndërsa importi i mollëve u ul ndjeshëm në 7 tonë mollë.

Prodhimi i mollës është shtrirë pothuaj në në të gjitha krahinat e vendit, teksa kryeson me  prodhimin më të lartë të mollëve Rajoni Korçës dhe ai i Dibrës, që zënë rreth 70% të prodhimit total të mollëve në shkallë vendi.

Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Chief dhe Starking që përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë, dhe Golden Delicious që përbëjnë 42%.

Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si “Gala”, “Mutsu” dhe “Granny Smith”.

Aktualisht prodhimi i mollëve mbulon mbi 90% të nevojave të konsumatorit vendas dhe vitet e fundit prodhimi i bollshëm i kësaj kulture po kalon si lëndë e parë edhe në industrinë agropërpunuese, apo atë tradicionale, ku vend të rëndësishëm zënë kompostot, reçeli i mollës, molla e thatë e paketuar, rakia e mollës, etj.

Zhvillimi i frutikulturës është kthyer në trend për fermerët, të cilët po kërkojnë të përshtatin standarde të reja të ruajtjes dhe tregimit gjithë vjetor të këtij fruti.

Për këtë qëllim Programi i Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural (SRD) i zbatuar nga GIZ në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i financuar nga Qeveria Gjermane, po punon me operatorët grumbullues frigoriferik të mollëve si dhe me  eksportuesit e mollëve, për sjell modelet bashkëkohore dhe tendencat e fundit bashkë me  përvojat e reja në ruajtjen e mollës në frigorifer, që garantojnë ruajtjen e cilësisë dhe eksport të mollës./atsh/

Shpërndaje në rrjete sociale