SHBA pezullon shqyrtimin e vizave të imigrantëve për 75 vende, mes tyre edhe Shqipëria

18:40 | 14 Janar 2026
E.G

Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka pezulluar përkohësisht përpunimin e vizave të imigrantëve për 75 vende, me qëllim ndalimin e aplikantëve që mund të mbështeten në ndihmën sociale amerikane.

Mes vendeve të prekura sikurse Somalia, Rusia, Afganistani, Brazili, Irani, Iraku, Egjipti Nigeri, Tajlanda, Jemeni preket edhe Shqipëria, Kosova dhe disa vende të tjera të Ballkanit.

Zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të refuzojnë aplikimet për viza në bazë të ligjit ekzistues, ndërkohë që po zhvillohet një rivlerësim i plotë i procedurave të shqyrtimit dhe verifikimit.

Pezullimi i përpunimit të vizave do të hyjë në fuqi më 21 janar dhe do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, deri në përfundimin e këtij rivlerësimi nga Departamenti i Shtetit.

Vendimi lidhet me zbatimin e ashtuquajturës dispozitë të “barrës publike” në ligjin amerikan të imigracionit, e cila u lejon autoriteteve të refuzojnë aplikantët që ka gjasa të mbështeten në përfitime publike.

Në nëntor 2025, Departamenti i Shtetit u kishte dërguar posteve diplomatike në mbarë botën udhëzime të reja për një shqyrtim më të rreptë të aplikantëve, duke marrë parasysh faktorë si shëndeti, mosha, njohja e gjuhës angleze, gjendja financiare dhe nevoja e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.

Sipas këtyre kritereve, aplikantë të moshuar, mbipeshë apo ata që kanë përfituar më parë ndihmë sociale mund të refuzohen.

“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij për të konsideruar emigrantë potencialë të papërshtatshëm, të cilët mund të bëhen barrë publike për Shtetet e Bashkuara dhe të shfrytëzojnë bujarinë e taksapaguesve amerikanë”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott.

Vendimi i fundit shënon një rikthim të qasjes më të ashpër ndaj imigracionit, me ndikim të drejtpërdrejtë për dhjetëra vende në mbarë botën.

Lista e plotë e vendeve të prekura

Lista përfshin Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Bangladeshin, Bosnjën, Brazilin, Egjiptin, Iranin, Irakun, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Marokun, Nigerinë, Pakistanin, Rusinë, Somalinë, Sirinë, Tajlandën, Tunizinë, Ugandën, Uzbekistanin, Jemenin dhe dhjetëra vende të tjera.

/rtsh.al/

Shpërndaje në rrjete sociale