Reforma e inspektimeve/ Rama: Do të ketë certifikim, trajnim dhe standard etik

11:49 | 13 Shkurt 2026
E.K

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me Kryeinspektorin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e inspektoriateve të vendit, theksoi se një sistem i ri rekrutimi dhe karriere është i domosdoshëm për fazën e re të reformës së inspektimeve.

“Njësoj si kemi bërë me doganën dhe shërbimin civil, duhet të jetë edhe me inspektorët. Kjo kërkon certifikim, trajnim të detyrueshëm dhe, më tej, standard etik të unifikuar. Sistemi i ri i rekrutimit dhe karrierës duhet të jetë një sistem besueshëm”, u shpreh Kryeministri.

Ai vuri në dukje se faza e parë e reformës ka përfunduar, ku u krye studimi i modeleve dhe u krijua bindja për nevojën e kapërcimit të skemës organizative të së shkuarës. Tani po fillon faza e zbatimit të thelluar, që do të shoqërohet me ndërtimin e kompleksit të ri të Inspektoratit të Përgjithshëm, një ambient që do të mbledhë të gjithë inspektoratet nën një trup të vetëm.

Kryeministri Rama pranoi se deri tani sistemi i inspektimit nuk ka dhënë progresin e nevojshëm.

“Moment shumë i rëndësishëm i kësaj reforme. Kemi kapërcyer fazën e parë që kishte nevojë për parapërgatitje e studim modelesh e për të krijuar bindjen te të gjithë se ishte domosdoshmëri të kapërcehej skema organizative e së shkuarës, tani do kalojmë në fazën e zbatimit të thelluar të kësaj reforme e cila do shoqërohet me fillimin e punës për të ndërtuar kompleksin e ri të Inspektoratit të Përgjithshëm, një mjedis që do krijojë kushte optimale për të mbledhur gjithë inspektoratet e për ti dhënë sensin e një trupe të vetme.

Një gjë është e sigurt, që deri tani ne nuk mund të themi se me inspektimin kemi bërë progresin e nevojshëm. Inspektimi mbetet problem në mekanizmin e funksionimit të shtetit tonë, në organizim, mendësi dhe në hendekun mes shërbimit dhe pengimit të atyre që duhet të shërbehen dhe që jo rrallë në vend se të shërbehen të keqtrajtohen e abuzohen”, tha Rama.

Kryeministri përfundoi duke theksuar rëndësinë e racionalizimit të vizitave në biznes, duke shmangur humbjen e kohës dhe duke krijuar një sistem inspektimi më të drejtë dhe efikas.

Rama theksoi se reforma duhet të fokusohet te planifikimi i punës së inspektorëve dhe përmirësimi i mënyrës së inspektimit. Ai theksoi se bizneset nuk duhet të surprizohen me inspektime të paplanifikuara, por me koordimim në mënyrë që sipërmarrjeve t’u jepet mundësia e vetëkorrigjimit.

“Ka ardhur koha që ne të mos veprojmë në nivelin e inspektimit me befasira a thua se po kapim diversantë në anën e sipërmarrjes.

Sipërmarrja lajmërohet, i parashtrohet programi tematik i inspektimit dhe bëhet inspektimi. Qëllimi ynë ti ndihmojnë të vetëkorigjohen dhe kur janë gabim.

Të racionalizojmë vizitat në dyert e biznesit. Nuk mundet që një sipërmarrje të harxhojë kohë pa limit për cdo lloj inspektimi i vjen te dera. Racionalizohet mënyra si kryhen inspektimit dhe koha e një sipërmarrje për tu marrë me inspektorët”, deklaroi Rama./rtsh