Rama: Shqipëria ofron një klimë shumë të mirë për biznese

15:42 | 14 Maj 2015
M. A.

Këto dy ditë Shqipëria është vizituar nga qindra investitorë të huaj. Krahas 100 bizneseve turke që erdhën këtë të mërkurë së bashku me Presidentin Erdogan, kanë mbërritur edhe 124 sipërmarrje italiane, të cilët janë mbledhur sot në simpoziumin me temë “Të ndërtojmë së bashku”.

Takimi u përshëndet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani. Në fjalën e tij, Rama iu premtoi sipërmarrësve italianë se Qeveria do t’i hapë rrugë kujtdo që do të investojë, ndërsa bëri edhe humor me ta kur iu tha se shqiptarët ishin të lumtur kur skuadra e Juventus mundi mbrëmë Real Madridin.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria ofron një klimë shumë të mirë për biznesin, ndërsa vuri në dukje edhe afërsinë mes dy vendeve jo vetëm nga pikëpamja gjeografike por edhe ajo historike dhe e emigracionit.

“Historia e dy vendeve tona është e njohur; jemi dy vende shumë të afërta, jo vetëm nga pikëpamja gjeografike, dhe historike, por edhe nga pikëpamja e kohës që na takon dhe jetojmë, falë faktit që janë mijëra shqiptarë që jetojnë në Shqipëri si në vendin e tyre, dhe që punojnë aty. Por nga ana tjetër jemi me shumicë të lumtur edhe kur JUVE mund Realin. E për më tepër ne kemi një italian me dy pasaporta që stërvit Kombëtaren tonë. Vetëm një Italian do të donte shtetësinë shqiptare dhe vetëm një italiani do t’ia jepnim shtetësinë dhe ta pranojnë si një shqiptar. Se imagjinoj që një gjerman të dojë kombësinë shqiptare”, tha kryeministri.

Megjithëse vlerësoi faktin se në Shqipëri janë 900 ndërmarrje italiane që operojnë, Rama theksoi se janë pak në krahasim me mundësitë dhe hapësirat që ekzistojnë, duke i ftuar sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri, sidomos në turizëm dhe në energji si dy sektorët që kanë potencialin më të madh.

“Jemi një vend i pasur nga të gjitha pikëpamjet natyrore, siç është energjia, që është një nga potencialet që ka ky vend. Jemi optimist që pas disa vitesh do të kemi edhe resurse të gazit. Jemi një vend me burime turistike të shumta, dhe është një vend që po tërheq turistët, sidomos ata të Evropës veriore dhe mjafton të shikosh që këtë vit kemi pasur 25 për qind më shumë, që do të thotë se kemi nevojë për struktura të reja në këtë sektor dhe dua vërtet të kontaktojmë me investues të rinj italianë të këtij sektori sepse ka shumë punë për tu bërë,” pohoi Rama.

Ndërsa ambasadori italian Gaiani tha se numri i madh i kompanive pjesëmarrëse në këtë forum, flet për interesin e dukshëm të sipërmarrjes italiane për Shqipërinë, fakt që do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të vendit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale