Shqipëria jo vetëm që ka çmimin më të lartë të karburantit në rajon, por njëkohësisht edhe cilësinë më të keqe, që reflektohet në shkatërrimin e automjeteve apo ndotjen e mjedisit. Për këtë arsye, Qeveria e Edi Ramës ka njoftuar sot për nisjen e një aksioni të ri për rregullimin e këtij tregu.
Ky aksion është i treti në radhë, pas atij të energjisë dhe ndërtimeve pa leje, që kryeministri Rama ka njoftuar më herët.
Operacioni për karburantin do të thotë se kush abuzon me çmimin apo cilësinë e naftës që shitet në treg do të përballet me penalitete të rënda, përfshirë edhe burgun, njëlloj si u veprua me energjinë elektrike.
Apelin kryeministri e ka bërë sot, kryesisht për të gjithë biznesmenët e këtij sektori që prodhojnë dhe shesin naftë.
“Sot dua që të bëj publik fillimin e operacionit shumëpërmasor kundër të gjitha formave të grabitjeve dhe të mashtrimeve me konsumatorët shqiptarë në sektorin e naftës. Dola sot këtu, sepse siç kam bërë edhe në të shkuarën, e shoh shumë të rëndësishme që gjithë industria ta marrë këtë mesazh qartë, prerë dhe pa ekuivok, që gjithë industria ta kuptojë që ne do ta mbështesim këdo që bën në këtë sektor, dhe në gjithë sektorin e ekonomisë së vendit, sipërmarrje të drejtë dhe të bazuar mbi ligj, por ne nuk do të pajtohemi me asnjë sipërmarrje që shkel ligjin”, tha Rama.
Kryeministri bëri të ditur se ministri i Financave, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ministri i Energjisë dhe Industrisë, si dhe ministri i Brendshëm, kanë dakordësuar një udhëzim shumë të specifikuar, të Ligjit për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, dhe kanë përcaktuar 21 aspekte me të cilat ky mekanizëm do të merret 24 orë në 24, në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke filluar nga dita e nesërme.
Rama tha se nga abuzimi me këtë sektor është rrënuar jo vetëm ekonomia familjare e shqiptarëve, por ekonomia kombëtare.
“Ky operacion vjen po ashtu me të njëjtën metodologji si operacioni i ri energjisë elektrike dhe si operacioni i ndalimit të uzurpimit dhe ndërtimit të paligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bazohet në eksperiencën e këtyre 18 muajve, bazohet në gjithë analizën e imët që është bërë në sektor dhe bazohet në një projekt shumë të qartë që nuk do të ndalet, siç nuk janë ndalur dhe nuk do të ndalen as dy operacionet e mëparshme që përmenda” tha kryeministri Rama.
Çmimi i karburantit në Shqipëri është ndër më të lartët në rajon, ku pas uljes që pësoi me 10 lekë pak javë më parë sërish 1 litër naftë në Shqipëri kushton 180 lekë (1,3 euro).
A është vërtet më afër se kurrë një marrëveshje paqeje për U...
Barcelona bën detyrën dhe kalon tutje në Kupën e Mbretit
Ludo Lee shpërthen ndaj Albës: Kjo koka e sëmurë o vëlla, de...
Abdixhiku për Agim Veliun: E ka vendin e tij në LDK gjithmon...
Arktiku përjetoi vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëher...
Mbyllet Asambleja e SEPCA-s në Vlorë, Drejtori i Policisë së...