Raportuesi i PE: Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipëria ka shanse të anëtarësohet në BE deri në vitin 2029

12:39 | 31 Janar 2026
E.K

Në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të zhvilluar në Vlorë, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ka vlerësuar përparimin e vendit në procesin e integrimit europian.

Schieder u shpreh se që prej marrjes së statusit kandidat, Shqipëria ka ecur me ritme të shpejta dhe ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në fusha si lufta kundër korrupsionit, sistemi gjyqësor, modernizimi i ekonomisë, transparenca në media dhe përmirësimi i sistemit arsimor. Ai theksoi se integrimi në BE nuk është vetëm projekt i qeverisë, por i gjithë shoqërisë shqiptare.

“Që kur iu dha statusi i vendit kandidat, Shqipëria ka ecur shumë shpejt dhe ka bërë shumë reforma. Pavarësisht teknikaliteteve që janë shumë të rëndësishme për jetën e shqiptarëve si zbatimi i reformës në luftën kundër korrupsionit, për sistemin gjyqësor, ose reforma që modernizojnë ekonominë, që sjellin më shumë transparencë tek media apo edhe një sistem arsimor më modern e më të mirë, këto janë vetëm mekanizmi sepse anëtarësimi në BE do të thotë që të keni një standard jetese që të sjellë të gjitha përfitimet si edhe sfidat dhe përgjegjësitë që ka çdokush që është qytetar i BE. Integrimi në BE nuk është vetëm projekt i qeverisë, por i të gjithëve. Shqipëria ka bërë goxha shumë, ka ende disa gjëra që duhen bërë, por ndërkohë që bota ndryshon dalin edhe gjëra të reja që duhet ët zgjidhë politika”, tha Schieder.

Ai shtoi se, megjithëse nuk dëshiron të japë një datë specifike, ka besim se Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar i BE-së deri në vitin 2029, gjatë mandatit aktual të Parlamentit Europian.

“Kur do të bëhet Shqipëria vend anëtar? Unë them se Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria e Shqipërisë kanë bërë punë shumë të mirë, kështu që nëse plani vazhdon me të njëjtin ritëm dhe reformat bëhen në shoqëri dhe përmirësojnë jetesën, atëherë ka një shans shumë të mirë që në fund të kësaj dekade të mendojmë si do dalim. Përmend edhe komunikimin sepse nuk bëhet fjalë vetëm për në Shqipëri, por edhe Europë që në fund të viteve 2020, pra për këtë shekull, por fundin e viteve 2020, pra 2030, sa më shpejt aq më mirë. Nuk dua të përmend një datë specifike, por ne në Parlamentin Europian mandatin e kemi deri në 2029 dhe do të doja që si relatori për Shqipërinë t’ju them që Shqipëria do të bëhet shtet anëtar gjatë këtij mandati, deri në 2029”, theksoi Schieder./rtsh

Shpërndaje në rrjete sociale